Bosi i mafias kaukaziane ekzekutohet në mes të ditës në Izrael

23 gusht 2026 | 19:46

Yannis Yushbayev, kreu i mafias kaukaziane në Izrael, u qëllua për vdekje të dielën pasdite në një pikë karburanti pranë Cezareas. Viktima rreth të 40-ave, nuk u mbijetoi plagëve të marra.

Vrasja ndodhi në mes të ditës, në pikën e karburantit Paz, pranë restorantit Minato Sushi Bar dhe kafenesë Agenda. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë një burrë që i afrohet Yushbayevit teksa ai del nga restoranti dhe më pas e qëllon në kokë nga një largësi shumë e afërt.

Autori i të shtënave dhe bashkëpunëtorët e tij të dyshuar u larguan me makinë. Policia, e cila dyshon se bëhet fjalë për një larje hesapesh, nisi menjëherë një operacion të gjerë kërkimi. Në të gjithë rajonin u ngritën postblloqe, ndërsa në kërkime mori pjesë edhe një helikopter.

Kreu i policisë izraelite, Danny Levy, dhe komandanti i distriktit bregdetar shkuan në vendngjarje.

Yushbayev kishte qenë prej disa vitesh në vëmendjen e policisë së Haderas dhe të njësisë qendrore të distriktit bregdetar. Ai ishte arrestuar disa herë, shkruan Israj.

Vitin e kaluar, emri i tij ishte lidhur veçanërisht me të shtënat ndaj automjetit dhe banesës së një biznesmeni. Policia dyshonte se ai kishte luajtur rolin e ndërmjetësit në një konflikt mes sipërmarrësish, por edhe se kishte marrë pjesë në djegien e dhjetëra automjeteve. Në fillim të këtij viti, ai u arrestua sërish në aeroportin Ben-Gurion, pas kthimit nga Rusia.

VIDEO:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoriteti Holandez i Mbrojtjes së të Dhënave ka gjobitur Uber…