Makina me pesë të rinj përplas mjetin e policisë në Angli, shtatë viktima

23 gusht 2026 | 19:10

Shtatë persona, përfshirë dy oficerë policie, humbën jetën në një aksident automobilistik në verilindje të Anglisë të shtunën, pasi një makinë që po lëvizte në drejtim të kundërt në një rrugë kryesore u përplas me një automjet të policisë.

Policia e Cleveland-it tha se incidenti ndodhi në orën 3:39 të mëngjesit pranë zonës South Bank, në lindje të Middlesbrough, dhe se të gjithë personat në dy automjetet humbën jetën në vendngjarje, shkruan Reuters.

“Kjo është një ditë jashtëzakonisht e trishtueshme për Cleveland-in,” tha shefja e policisë së Cleveland-it, Victoria Fuller.

Forca e policisë tha se kishte identifikuar zyrtarisht pasagjerët e automjetit tjetër, një Volkswagen Passat, dhe po kontaktonte familjet e tyre.

Fuller i identifikoi dy oficerët e vdekur si policët Matthew Blades, 37 vjeç, dhe Tom Clough, 38 vjeç, duke i përshkruar ata si “oficerë trima, që nuk u kthyen në shtëpi te familjet e tyre në fund të turnit”.

Kryeministri Andy Burnham publikoi gjithashtu një deklaratë të shkurtër, duke shprehur trishtimin e tij për incidentin.

Pas dy përplasjeve të fundit pranë Dublinit, njëra prej të cilave shkaktoi vdekjen e pesë personave, shefi i policisë së Irlandës paralajmëroi këtë javë se disa të rinj po drejtonin automjetet në drejtim të gabuar në autostradë “për pëlqime në rrjetet sociale”.

Një komision parlamentar irlandez i ka kërkuar platformës së videove të shkurtra TikTok të shpjegojë se si heq përmbajtjet “që duket se glorifikojnë sjelljen e rrezikshme dhe të paligjshme në rrugët tona”. Të martën, një kërkesë të ngjashme bëri edhe rregullatori irlandez i medias.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari dhe shkrimtari Halil Matoshi ka reaguar rreth protestës së…