Protestat studentore në Francë: Pezullohet përdorimi i granatave pasi një adoleshenti iu këput dora
Franca ka pezulluar përdorimin e granatave trullosëse gjatë menaxhimit të protestave studentore që kanë përfshirë vendin, pasi një 15-vjeçari iu këput dora në fillim të kësaj jave, sipas “BBC”.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, ka deklaruar se ka kërkuar këtë pezullim derisa të “sqarohen” faktet rreth incidentit të së hënës, pasi versionet e dhëna nga protestuesit dhe autoritetet kanë qenë kontradiktore.
Disa grupe janë ankuar se policia ka përdorur forcë joproporcionale ndaj adoleshentëve.
Trazirat kanë vazhduar edhe të mërkurën në mëngjes, me më shumë se 500 shkolla të mbyllura plotësisht ose pjesërisht, ndërsa kryeministri Sébastien Lecornu pritet të flasë për protestat në shkolla gjatë një fjalimi në mbrëmje.
Ministri i Arsimit, Édouard Geffray, në një dalje para Asamblesë Kombëtare të Francës, ka thënë se 24 shkolla janë “djegur ose vandalizuar” në atë masë saqë do të mbeten të mbyllura për disa javë, duke prekur 30 mijë nxënës.
Qindra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë të martën për të kërkuar kushte më të mira në shkolla, ndërsa në disa qytete janë përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji.
Ministria e Brendshme ka njoftuar se janë arrestuar 488 persona dhe janë plagosur 43 pjesëtarë të forcave të sigurisë.



