Ish-kreu i shërbimit sekret gjerman arrestohet për spiunazh dhe tradhti

06 tetor 2026 | 15:09

Ish-kreu i shërbimit sekret gjerman, August Hanning, është arrestuar nën dyshimin për spiunazh, tradhti dhe marrje të informacioneve të klasifikuara për një fuqi të huaj, ka njoftuar Prokuroria Federale Gjermane.

Hanning ka drejtuar Shërbimin Federal të Inteligjencës (BND) nga viti 1998 deri në vitin 2005 dhe që atëherë ka punuar si konsulent privat.

Prokurorët pretendojnë se ai ka përdorur informacione të klasifikuara të inteligjencës për të “hartuar një analizë” për një shërbim të huaj inteligjence dhe ka mbajtur kontakte me një shërbim tjetër të huaj spiunazhi. Hetuesit nuk kanë bërë të ditur se cilat fuqi të huaja kanë qenë të përfshira, raporton  “BBC”.

Policia ka arrestuar gjithashtu ish-punonjësin e BND-së, Manfred D., duke e akuzuar atë se i ka kaluar Hanningut rreth 2 mijë dokumente të klasifikuara në këmbim të parave.

Manfred D., i cili ka qenë shef i zyrës së Hanningut dhe ka qëndruar në BND deri këtë vit, akuzohet për ndihmë dhe bashkëpunim në tentativë për tradhti dhe në spiunazh për tradhti.

Mediat lokale kanë raportuar se Hanning është arrestuar në shtëpinë e tij në Nordwalde, pranë Münsterit, ndërsa Manfred D. është arrestuar në Bavari. Hanning pritet të dalë para gjykatës të mërkurën, ndërsa Manfred D. do të dalë të martën.

Prokurorët kanë thënë se Manfred D., i cili ka shërbyer gjithashtu si shef i stafit për pasardhësit e Hanningut ndërmjet viteve 2012 dhe 2026, e ka përdorur rolin e tij për të fituar qasje në informacione tepër konfidenciale, të cilat më pas ia ka kaluar Hanningut “në këmbim të pagesës”.

“Gjetjet aktuale sugjerojnë se, ndër vite, Manfred D. i ka siguruar Hanningut afërsisht 2 mijë dokumente, shumë prej të cilave kanë përmbajtur informacione të klasifikuara që duhej të përdoreshin ekskluzivisht nga Shërbimi Federal i Inteligjencës për qëllime të brendshme”, është thënë në deklaratë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ua ka…