Çështje qendrore e Apelit: rrëzimi i kualifikimit juridik për Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale (NPK)
Shkruan: Akademik Arsim Bajrami
Aktgjykimi i Dhomës së Shkallës së Parë në çështjen Thaçi dhe të tjerët e 16 shtatorit 2026 hap një nga çështjet më të rëndësishme juridike për procedurën e apelit: qëndrueshmërinë e kualifikimit të përgjegjësisë penale përmes ndërmarrjes së përbashkët kriminale (NPK).
Lufta në Kosovë përbën kontekstin historik dhe faktik të ngjarjeve të shqyrtuara në këtë proces gjyqësor. Por konteksti i luftës nuk është kriter juridik për krijimin e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. As ekzistenca e krimeve, as karakteri i organizuar i veprimtarisë politike e ushtarake dhe as ekzistenca e strukturave drejtuese nuk mund të zëvendësojnë provën e elementeve konkrete të NPK-së.
Lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare dhe mbrojtëse.
Qëllimi i saj ishte çlirimi i Kosovës nga pushtimi dhe realizimi i pavarësisë së saj. Ky ishte qëllim politik dhe çlirimtar, jo qëllim kriminal. UÇK-ja nuk kishte projekt apo qëllim të përbashkët kriminal. Qëllimi i saj ishte liria, çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Veprimet eventuale kriminale të individëve nuk mund t’i atribuohen automatikisht tërë luftës dhe qëllimit të saj. Përgjegjësia penale është individuale dhe kërkon prova konkrete për çdo të akuzuar. Asnjë strukturë politike apo ushtarake nuk mund të shpallet kriminale vetëm mbi bazën e krimeve të kryera nga individë.
E drejta penale kërkon prova përtej dyshimit të arsyeshëm, jo përgjithësime dhe barazime.
Prandaj, qëllimi çlirimtar i UÇK-së duhet të ndahet qartë nga çdo përgjegjësi penale individuale.
NPK-ja është një formë specifike e përgjegjësisë penale në të drejtën penale ndërkombëtare. Ajo nuk është koncept për përshkrimin e një organizimi politik, ushtarak ose institucional dhe as mekanizëm për atribuimin e përgjithshëm të krimeve të kryera gjatë një lufte. Zbatimi i saj kërkon provimin e elementeve të përcaktuara nga jurisprudenca ndërkombëtare: ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal, pjesëmarrjen në realizimin e këtij qëllimi, kontributin juridikisht relevant dhe elementin subjektiv të kërkuar për kategorinë përkatëse të NPK-së.
Pikërisht këtu qëndron çështja themelore e apelit. Ekzistenca e krimeve të supozuara të luftës dhe ekzistenca e një NPK-je janë dy çështje juridikisht të dallueshme. Fakti i supozuar se janë kryer krime nuk e provon vetvetiu ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal. Po kështu, ekzistenca e një strukture të organizuar nuk provon se ajo strukturë ka pasur qëllim kriminal.
Një qëllim politik ose ushtarak nuk mund të barazohet me një qëllim të përbashkët kriminal vetëm për shkak të krimeve të supozuara që janë kryer në të njëjtin kontekst.
Për këtë arsye, shqyrtimi apelues duhet të përqendrohet në mënyrën se si është kaluar nga faktet e provuara te përfundimi juridik mbi ekzistencën e NPK-së. Duhet të testohet nëse arsyetimi gjyqësor ka ruajtur kufijtë e domosdoshëm ndërmjet faktit, provës dhe inferencës juridike.
Një çështje tjetër vendimtare është përcaktimi i qëllimit të përbashkët kriminal. Ky qëllim duhet të jetë konkretisht i identifikueshëm dhe i lidhur me krimet që përfshihen në ndërmarrje. Një formulim i gjerë i qëllimit të përbashkët rrezikon që një strukturë politike ose ushtarake të trajtohet si ndërmarrje kriminale vetëm mbi bazën e veprimtarisë së saj të përgjithshme.
Po aq e rëndësishme është ndarja ndërmjet dijenisë dhe dashjes. Njohja e ekzistencës së krimeve, njohja e situatës në terren ose njohja e veprimtarisë së personave të tjerë nuk është e njëjtë me qëllimin për kryerjen e krimeve që përfshihen në ndërmarrjen e përbashkët kriminale.
As pozita hierarkike nuk mund të shndërrohet në zëvendësim të provës së pjesëmarrjes. Autoriteti politik ose ushtarak është pjesë e kontekstit faktik, por nuk është në vetvete element i NPK-së. Përgjegjësia penale nuk mund të ndërtohet mbi funksionin e ushtruar, por mbi përmbushjen e elementeve konkrete të përgjegjësisë penale.
Edhe kontributi duhet të provohet në mënyrë konkrete. Një veprim politik, institucional, administrativ ose organizativ nuk merr automatikisht karakter kriminal vetëm sepse ka ndodhur në të njëjtin kontekst faktik me krimet. Duhet të përcaktohet natyra e kontributit, lidhja e tij me ndërmarrjen dhe rëndësia e tij juridike në raport me krimet përkatëse.
Përgjegjësia përmes NPK-së nuk mund të ndërtohet as përmes transferimit automatik të veprimeve të personave të tjerë te personi i akuzuar. Pjesëmarrja në një ndërmarrje të përbashkët kriminale duhet të provohet përmes lidhjes konkrete ndërmjet personit, qëllimit të përbashkët dhe kontributit të tij në realizimin e këtij qëllimi.
Të gjitha këto elemente duhet të vlerësohen sipas standardit të provës përtej dyshimit të arsyeshëm. Ky standard nuk kufizohet vetëm te konstatimi se një krim është kryer. Ai shtrihet mbi çdo element të përgjegjësisë përmes NPK-së. Në rastin e provave rrethanore, përfundimi i fajësisë duhet të mbështetet në tërësinë e provave dhe jo në përgjithësime, supozime apo barazime juridikisht të papranueshme.
Prandaj, kundërshtimi i NPK-së në apel nuk është kundërshtim i përgjithshëm ndaj aktgjykimit. Është kundërshtim ndaj një kualifikimi specifik juridik të përgjegjësisë penale. Thelbi i apelit duhet të jetë i qartë: NPK-ja nuk mund të qëndrojë sepse nuk janë provuar të elementet e saj dhe lidhja ndërmjet provave dhe përfundimit juridik në përputhje me standardin e provës penale.
Në këtë kuptim, rrëzimi i NPK-së duhet të jetë një nga çështjet qendrore të apelit. Dhoma e Apelit duhet të atakojë aktgjykimin e shkallës , i cili nuk ka provuar një ndërmarrje të përbashkët kriminale në kuptimin e saktë juridik të këtij instituti, apo nëse ky përfundim është ndërtuar përmes ndërthurjes së kontekstit të luftës, strukturave organizative, veprimeve të personave të ndryshëm dhe inferencave mbi dijeninë dhe qëllimin.
KËRKESAT KRYESORE TË MBROJTJES NË APEL
Mbi bazën e këtyre argumenteve, Mbrojtja duhet t’i kërkojë Dhomës së Apelit:
1. Të rrëzojë kualifikimin juridik të ndërmarrjes së përbashkët kriminale si bazë të përgjegjësisë penale, për shkak të mosprovimit të plotë të elementeve të saj sipas standardit të kërkuar nga e drejta penale ndërkombëtare.
2. Të konstatojë se ekzistenca e krimeve individuale të supozuara të luftës, e strukturave politike ose ushtarake dhe e veprimtarisë së organizuar nuk është e mjaftueshme për të provuar ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal dhe se këto kategori nuk mund të barazohen juridikisht me NPK-në.
3. Të konstatojë se qëllimi i përbashkët kriminal, elementi subjektiv, pjesëmarrja dhe kontributi duhet të provohen përtej dyshimit të arsyeshëm dhe se këto elemente nuk mund të zëvendësohen me interferenca të përgjithshme të nxjerra nga pozita, autoriteti, njohja e rrethanave ose përkatësia në një strukturë.
4. Të ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë, të rrëzojë kualifikimin juridik të ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe, mbi bazën e mungesës së provave që përmbushin standardin e fajësisë penale përtej dyshimit të arsyeshëm, të deklarojë pafajësinë e të akuzuarve dhe të japë vendimin përfundimtar të drejtë e të ligjshëm në përputhje me provat dhe standardet e së drejtës penale ndërkombëtare.
5. Nëse Dhoma e Apelit vlerëson se mangësitë e konstatuara nuk mund të korrigjohen drejtpërdrejt përmes ndryshimit të aktgjykimit, të urdhërojë masën procedurale që e konsideron të nevojshme për një rivlerësim të ligjshëm të përgjegjësisë, në përputhje me standardet juridike të përcaktuara nga Dhoma e Apelit.



