Rama, pushtetit: Mos e urdhëroni policinë kundër popullit

06 tetor 2026 | 13:12

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas pamjeve të shfaqura gjatë protestës së mbrëmshme në kryeqytet, ku pati përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës.

Rama ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të situatës, duke thënë se protestuesit ishin veteranë të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të Kosovës që, sipas tij, kërkonin drejtësi.

“Sheshi është i njëjti. Qytetarët po ashtu. Vetëm juve ju ka shpërfaq pushteti”, ka shkruar Rama në “Facebook”.

Ai ka thënë se pamjet e protestuesve duke u trajtuar në QKUK janë të dhimbshme dhe se ato, sipas tij, kërkojnë shpjegim dhe përgjegjësi.

“Pamjet duke i rrahur në shesh e duke u mjekuar në QKUK janë të dhimbshme. Pas secilës pamje është një njeri, një familje e shqetësuar, dikush që doli për të kërkuar drejtësi dhe përfundoi i shtrirë, i rrahur dhe i fyer nga policia e shteti i vet. Këto pamje kërkojnë shpjegim dhe përgjegjësi!”, ka shkruar ai.

Rama ka theksuar se institucionet duhet të garantojnë sigurinë e qytetarëve dhe të drejtën për protestë, ndërsa përgjegjësia për raste individuale, sipas tij, nuk duhet të përdoret për të delegjitimuar një protestë të tërë.

“Pakënaqësia qytetare kërkon përgjigje politike. Gazi lotsjellës nuk e zëvendëson atë. Albin Kurti dikur mbajke ligjërata për xhipat e zinj dhe bërtiste: ‘Pse po frikësoheni nga populli?’. Mbrëmë, ai dhe të gjithë deputetët e tij ikën nga ky popull me qata xhipa të zi!”, ka shkruar Rama.

Rama ka përsëritur se sheshet u takojnë qytetarëve dhe i ka bërë thirrje institucioneve që të mos përdorin Policinë si përgjigje ndaj pakënaqësisë qytetare.

“Mos e ktheni policinë në përgjigje ndaj dështimit tuaj politik. Merrni përgjegjësi dhe gjeni zgjidhje. Mandati juaj është për të qeverisur për popullin, jo për ta sulmuar atë me forcë!”, ka shkruar ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Shkruan: Akademik Arsim Bajrami Aktgjykimi i Dhomës së Shkallës së…