Haziri: Votojeni ligjin sot ose shkoni në zgjedhje me turp

06 tetor 2026 | 13:14

Çlirim Haziri nga platforma “Jo në emrin tim” ka paralajmëruar se protesta nuk do të ndalet nëse nuk zgjidhet sot çështja e presidentit, me ç’rast vendi do të shkonte në zgjedhje.

Haziri u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta votojnë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar se, në të kundërtën, protestuesit do t’i ndjekin në çdo fushatë dhe në çdo vend.

“Nëse nuk e votni këtë ligj ne do të ju ndjekim këmba këmbës, nuk do të ketë fushatë për ju, nuk do të ketë votime. Në çdo vend do të na gjeni përballë, kjo masë do të ju ndjek. Zgjedhja është e juaja ose votojeni ligjin sot e lajeni faqen tuaj ose shkoni me zgjedhje me turp”, ka thënë ai.

Haziri ka kritikuar Qeverinë për mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar protesta e një nate më parë, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, për përdorim të forcës ndaj protestuesve dhe veteranëve të UÇK-së.

“Mbrëmë zbuloi fytyrën e vërtetë të këtij pushteti. Dje ra edhe perdja e fundit. Rinia e këtij vendi hodhi fishekzjarre në shenjë proteste, por përgjigjja që e mori nga shteti ynë ishte shkopi i hekurt i pushtetit. Me urdhër të Albin Kurtit e Xhelal Sveçlës u gjakosën sheshet e Prishtinës. U rrahën qytetarët, u goditën familjarët e dëshmorëve, por më e dhimbshmja, turpi më i rëndë që ka parë ndonjëherë faqja e dheut, u rrahën pamëshirshëm veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U gjakosën luftëtarët e lirisë. Dhe, për çfarë ndodhi e gjithë kjo? Pse përfunduan njerëzit tanë në emergjencë mbrëmë? Pse u arrestuan protestuesit tanë? Sepse dolën në këtë shesh dhe thanë: “UÇK, UÇK, UÇK…”. Sepse nuk pranuan të heshtin kur historia e tyre po vihej në pazar. Ata që mbrëmë u lënduan e kërkuan ndihmë në spitale, ata që u morën nga policia, kishin ardhur këtu për të njëjtin, për të njëjtën fjalë që na mban në këtë shesh tash e 21 ditë: “UÇK, UÇK, UÇK…””, ka thënë ai, raporton “Ekonomia Online”.

Ai u është drejtuar edhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke i ftuar të mos zbatojnë, sipas tij, urdhra që bien ndesh me ndërgjegjen e tyre.

“Ndërsa dje, Albini e Xhelali kthyen forcat e rendit në një mjet qorr, në një shkop gome për të mbrojtur pazarin e tyre me gjakun e UÇK-së. Por sot, unë dua t’u drejtohem atyre policëve shqiptarë që dje u detyruan të ngrenë dorën mbi çlirimtarët. Ne e kemi marrë vesh se çfarë presioni po u bën kjo qeveri. Ne e dimë që shumë prej jush sot mendojnë të largohen nga ai kordon policor e të vijnë në mesin tonë, sepse ndërgjegjja juaj nuk e mban turpin e atyre që e kanë kapur shtetin. Dhe ta dini mirë, bashkimi juaj me këtë shesh, kalimi juaj në anën e popullit nuk është thyerje urdhri, por është dëshmi e atdhedashurisë. Është dita kur uniforma e Republikës së Kosovës i del zot lirisë, lirisë e gjakut të dëshmorëve”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas pamjeve të…