Dërguti: Protestuesit e kanë kuptuar drejt vendimin e 16 shtatorit, UÇK-ja duhet t’i mbledhë të gjithë
Ish-deputetja Aida Dërguti ka folur për protestat në Prishtinë, duke thënë se një pjesë e qytetarëve e kanë kuptuar saktë situatën pas aktgjykimit të 16 shtatorit.
Në “Klan Kosova”, Dërguti ka thënë se vendimi është “i kundërligjshëm dhe politik”, duke theksuar se, sipas saj, ka pasoja të jashtëzakonshme për shtetin e Kosovës.
“Që nga 16 shtatori, janë këta protestues që e kanë kuptuar drejt se çka ka ndodhë me vendimin e 16 shtatorit. Aktgjykim i kundërligjshëm dhe politik, i cili ka pasoja të jashtëzakonshme për shtetin e Kosovës”.
Ajo ka theksuar se çështja e ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara është njëra nga kërkesat e protestuesve, ndërsa ka kritikuar deputetët për veprimet e tyre.
“Çështja e ligjit është njëra ndër kërkesat. Pra, protesta s’ka nevojë për 100 deputetë protestues, por në Kuvend që të bëjnë së paku ndonjë veprim.
Emëruesi i përbashkët është UÇK-ja, që është shënjuesi i epokave, që bën prerjen mes robërisë dhe lirisë. UÇK-ja do të duhej t’i mblidhte të gjithëve”, ka deklaruar Dërguti.



