Musliu për drejtorin e policisë: Gazmend Hoxha dha urdhra politikë nga zyrat e grupit parlamentar të LV-së
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka akuzuar drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, se gjatë protestës së djeshme ka dhënë urdhra nga zyrat e grupit parlamentar të Vetëvendosjes.
Musliu ka thënë se qytetarët janë goditur natën me gaz lotsjellës, topa gome dhe forcë policore, derisa po protestonin paqësisht.
“Gazmend Hoxha, nga zyrat e grupit parlamentar të LV-së, me urdhra politikë, Policia e Kosovës u përdor për të sulmuar qytetarët që po protestonin paqësisht. Kjo është e pafalshme! Tri javë protestë paqësore, pa incidente, dhe në vend të përgjigjes institucionale, qytetarët u goditën natën, në terr, me gaz lotsjellës, topa gome dhe forcë policore”, ka thënë Musliu.
Deputetja e PDK-së më pas ka pyetur: “Kush e dha urdhrin? Kush e autorizoi këtë veprim? Kush vendosi që ndaj protestuesve paqësorë të përdorej kjo forcë?”.
Musliu ka thënë se Inspektorati Policor i Kosovës duhet të reagojë menjëherë dhe të nisë hetim të plotë për zinxhirin komandues dhe urdhrat e dhënë.
“Ky nuk mund të mbetet një incident pa përgjegjësi. Mos e përdorni Policinë e Kosovës për urdhra politikë! Dëmi që po i bëhet besimit të qytetarëve ndaj Policisë së Kosovës është i madh. Policia duhet t’i shërbejë ligjit dhe qytetarëve, jo pushtetit politik. Pabesia në terr ndaj protestuesve paqësorë nuk mund të kalojë në heshtje. Duhet hetim. Duhet përgjegjësi”, ka thënë ajo.



