Një çështje rrëmbimi çoi rastësisht hetuesit te sekretet e BND-së
Një hetim për rrëmbimin e fëmijëve të trashëgimtares gjermane Christina Block duket se ka çuar rastësisht autoritetet te një prej çështjeve më të rënda të dyshuara të rrjedhjes së sekreteve brenda inteligjencës gjermane.
Sipas raportimit të SPIEGEL, hetuesit ranë në gjurmët e të dhënave sensitive të Shërbimit Federal të Inteligjencës, BND, gjatë hetimeve që lidheshin me ish-kreun e shërbimit, August Hanning.
Hanning kishte përfunduar nën vëzhgimin e autoriteteve për shkak të dyshimeve se mund të kishte qenë i përfshirë në një tentativë të mëparshme për rrëmbimin e dy fëmijëve të Christina Block, pretendim që ish-kreu i BND-së e ka mohuar.
Hetuesit kishin shkuar deri në infiltrimin e një agjenti të fshehtë në rrethin e tij. Në shtator të vitit 2025, policia kriminale e Hamburgut kontrolloi zyrat e një kompanie sigurie ku Hanning ishte anëtar i bordit, si dhe banesën e tij në Nordrhein-Westfalen.
Pikërisht gjatë këtyre kontrolleve, sipas raportimit, hetuesit dyshohet se zbuluan të dhëna sensitive të BND-së. Për këtë arsye u përfshi Prokuroria Federale në Karlsruhe, e cila është përgjegjëse për hetimet mbi spiunazhin dhe tradhtinë.
Hetimi mori më pas një drejtim krejt tjetër.
Prokuroria Federale dyshon se Hanning kishte siguruar në mënyrë të paligjshme informacione sekrete nga BND-ja pas largimit nga shërbimi dhe se një pjesë e tyre mund të ishte përdorur në aktivitetin e tij privat të konsulencës në fushën e sigurisë.
Të martën, autoritetet arrestuan 80-vjeçarin në banesën e tij në Nordrhein-Westfalen. Në të njëjtën kohë u arrestua edhe ish-shefi i kabinetit të tij në BND, Manfred D., i cili dyshohet se e kishte furnizuar me informacione të klasifikuara.
Hanning po hetohet për disa vepra të rënda, mes tyre spiunazh që cenon sigurinë e shtetit, sigurim të sekreteve shtetërore, tentativë për tradhti dhe veprimtari agjenturore për një shërbim të huaj.
Sipas SPIEGEL, në të paktën një rast Hanning dyshohet se përdori informacionet për të përgatitur një analizë për një person të lidhur me një shërbim të huaj inteligjence.
Shteti për të cilin punonte ky person nuk është bërë publik, por sipas raportimit nuk bëhej fjalë për Rusinë.
Arrestimi i një ish-presidenti të BND-së konsiderohet një rast pothuajse i paprecedentë në historinë e Gjermanisë.
Hanning drejtoi shërbimin e inteligjencës nga viti 1998 deri më 2005 dhe më pas shërbeu si sekretar shteti në Ministrinë e Brendshme deri në fund të vitit 2009.



