Ministri Hoti apel mediave: Dhuna ndaj fëmijëve duhet të raportohet pa i ekspozuar viktimat
Ministri në detyrë i Punës, Andin Hoti, ka bërë thirrje për kujdes maksimal gjatë raportimit të rasteve të dhunës ndaj fëmijëve, duke kërkuar që mediat të mos publikojnë pamje që ekspozojnë viktimat.
Hoti ka thënë se si shtet dhe shoqëri ekziston obligimi për mbrojtjen e fëmijëve, ndërsa mediat kanë rol të rëndësishëm në këtë përgjegjësi.
“Publikimi i pamjeve ku një fëmijë dhunohet brutalisht nuk i shërben informimit të publikut. Përkundrazi, ekspozimi dhe shpërndarja e atyre pamjeve e viktimizon fëmijën edhe një herë dhe mund t’i shkaktojë pasoja që shkojnë shumë përtej momentit kur lajmi është publikuar”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka theksuar se raportimi për raste të tilla mund të bëhet edhe pa u publikuar momentet më të rënda të dhunës ndaj fëmijëve.
“Dhuna duhet të raportohet, por pa e shndërruar vuajtjen e një fëmije në përmbajtje publike. E drejta për të informuar nuk duhet të vijë në kurriz të privatësisë, dinjitetit dhe interesit më të mirë të fëmijës”, ka shkruar Hoti.
Në fund, ministri në detyrë ka paralajmëruar për pasojat afatgjata që mund të ketë publikimi i pamjeve të tilla.
“Lajmi i sotëm nesër harrohet. Pamjet në internet mund të mbeten, e bashkë me to edhe pasojat për fëmijën”, ka përfunduar Hoti.



