DioGuardi: Kosova duhet ta ketë presidentin, armiqtë janë të gatshëm ta prishin ekuilibrin në Ballkan

24 gusht 2026 | 13:31

Ish-kongresisti amerikan, Joe DioGuardi, ka deklaruar se Kosova duhet ta ketë sa më shpejt një president, duke paralajmëruar se dështimi për zgjedhjen e kreut të shtetit mund ta vendosë vendin në një situatë të vështirë, për shkak të, siç tha ai, “armiqve” që janë të gatshëm ta prishin ekuilibrin në Ballkan.

Duke folur për situatën në Kosovë, DioGuardi ka thënë se ka ardhur për të dhënë zërin e tij dhe për ta “zgjuar popullin shqiptar”, duke theksuar se nuk është koha për të qëndruar pasivë, pasi sipas tij ka njerëz që janë të gatshëm t’ua marrin atë që kanë arritur.

“Pra, kjo nuk ishte e lehtë. Prandaj, mos e merrni si të mirëqenë. Unë jam këtu me ju për t’u siguruar që ju të keni një president dhe shpresoj që kjo të ndodhë para se të largohem. Nëse nuk ndodh para se të largohem, ju do të jeni në telashe të mëdha, sepse tashmë keni armiq të gatshëm për ta prishur ekuilibrin në Ballkan”, ka thënë ai.

DioGuardi ka thënë se për këtë arsye është e rëndësishme që ai të jetë në Kosovë dhe të flasë publikisht për këtë çështje.

“Prandaj është e rëndësishme që unë erdha këtu me zërin tim të fuqishëm për ta zgjuar popullin shqiptar. Kjo nuk është koha për të fjetur, sepse ka njerëz që janë të gatshëm t’jua marrin atë që keni. E urrej ta them këtë, por ju mund ta shihni vetë”, ka deklaruar ai.

Ish-kongresisti amerikan ka folur edhe për rrugëtimin e tij personal dhe politik, duke kujtuar se ishte rritur në Bronx dhe se që në moshë të vogël kishte punuar në marketin ushqimor të familjes në South Bronx.

“Kam lindur dhe jam rritur në Bronx. Prindërit e mi punuan shumë dhe u bënë ortakë në një market ushqimor në South Bronx. Dhe unë punoja atje, që kur isha tetë, nëntë, dhjetë vjeç, dhe në këtë mënyrë mësova shumë për jetën. Prandaj, dua që ta dini se ka diçka që duhet ta mbani mend. Kur u zgjodha, isha në një distrikt ku gara ishte aq e fortë, saqë m’u desh të debatoja me dhjetë njerëz të ndryshëm dhe të gjithë ishin të zgjedhur në Westchester County për pozita të ndryshme: deputetë të asamblesë, senatorë shtetërorë e të gjitha llojet e tjera. Kështu që m’u desh të punoja shumë për të dalë fitues. Madje, më vonë kam sjellë me vete një fotografi të dhjetë personave. Do t’jua tregoj. Në mesin e tyre ishte edhe shefi i stafit të kongresistit kundër të cilit më duhej të garoja në momentin e fundit”, ka thënë DioGuardi.

Ai ka thënë se shqiptarët e Kosovës, sipas tij, nuk e nisën dhunën, por u detyruan të luftonin për të mbrojtur ata që ishin në rrezik.

“Përsëri, Kosova ka një histori, shqiptarët kanë një histori, jo të nisjes së çfarëdo lloj dhune, jo të përfshirjes në aktivitete ushtarake, por në këtë rast u detyruan të ngriheshin për të mbrojtur të gjithë ata që ishin në rrezik. Prandaj është e rëndësishme që jemi së bashku sot, për t’u kthyer pas në histori dhe për të njohur atë që u desh për ta rrëzuar Slobodan Millosheviqin, e më pas për të arritur në këtë moment, në vitin 2026, kur mund të marrim vendime se si mund të ecim përpara”, ka deklaruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka nderuar me…