Protestë madhështore në Bonn të Gjermanisë në mbështetje të krerëve të UÇK-së

09 tetor 2026 | 22:37

Mbi 1,000 pjesëmarrës u mblodhën në Bon të Gjermanisë, në një protestë në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke përcjellë mesazhe solidariteti dhe duke kërkuar drejtësi për ata që konsiderohen bartës të luftës çlirimtare të Kosovës.

Nën organizimin e platformës “Liria ka Emër”, në bashkëpunim me mërgatën shqiptare që jeton dhe vepron në Gjermani, në qytetin e Bonnit u organizua një protestë madhështore në mbështetje të krerëve të UÇK-së, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në këtë tubim morën pjesë mbi 1,000 protestues, të cilët u bashkuan për të shprehur qëndrimin e tyre lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e drejtësisë së paanshme dhe kërkuan që lufta çlirimtare e popullit të Kosovës të trajtohet me drejtësi dhe në përputhje me të vërtetën historike.

Gjatë protestës u përcollën mesazhe të fuqishme në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare, sakrificës së dëshmorëve dhe kontributit të luftëtarëve të UÇK-së në rrugën drejt lirisë së Kosovës. Protestuesit, përmes thirrjeve dhe pankartave, shprehën kundërshtimin e tyre ndaj asaj që e konsiderojnë trajtim të padrejtë të krerëve të UÇK-së, duke kërkuar që procesi në Hagë të garantojë drejtësi dhe të mos cenojë të vërtetën mbi luftën çlirimtare.

Para të pranishmëve fjalë rasti mbajtën Ismail Tasholli, përfaqësues i platformës “Liria ka Emër”, gjeneral Nasim Haradinaj dhe në emër të mërgatës në Bonn, doktori Herolind Morina. Në fjalimet e tyre u trajtua rëndësia e unitetit kombëtar, ruajtjes së kujtesës historike dhe mobilizimit të mërgatës shqiptare në mbështetje të vlerave dhe sakrificave mbi të cilat u ndërtua liria e Kosovës.

Një pjesë e veçantë e tubimit iu kushtua edhe programit muzikor, me këngë kushtuar heronjve dhe luftëtarëve të lirisë. Interpretimet e Xhafer Ahmetajt, Halit Gashit dhe artistëve të tjerë i dhanë protestës një dimension emocional e atdhetar, duke rikujtuar sakrificat e popullit shqiptar dhe rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë.

Protesta në Bon dëshmoi edhe një herë mobilizimin e mërgatës shqiptare në Gjermani dhe përkushtimin e saj për të qenë e pranishme në zhvillimet që lidhen me Kosovën. Për pjesëmarrësit, ky tubim ishte një mundësi për të shprehur solidaritetin me krerët e UÇK-së dhe për të ritheksuar kërkesën që drejtësia të jetë e paanshme, e barabartë dhe e mbështetur në fakte.

Me pjesëmarrjen e madhe dhe mesazhet e përcjella, protesta në Bon u shndërrua në një tubim të rëndësishëm të solidaritetit të shqiptarëve në Gjermani, duke dëshmuar se çështjet që lidhen me luftën çlirimtare të Kosovës vazhdojnë të mbeten në vëmendjen e mërgatës shqiptare.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka kritikuar Bashkimin Evropian për,…