Kadriaj: Zëri i popullit nuk duhet të ndalet deri në lirimin e krerëve të UÇK-së
Aktivisti nga diaspora dhe përkrahësi i vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shaip Kadriaj, ka reaguar pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Përmes një postimi, Kadriaj e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm, por ka theksuar se, sipas tij, angazhimi institucional dhe qytetar duhet të vazhdojë.
“Ky është një hap, por nuk duhet të jetë i fundit”, ka shkruar Kadriaj.
Ai ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës të vazhdojnë angazhimin edhe në procesin e Apelit, ndërsa ka kërkuar që edhe qytetarët në Kosovë dhe në diasporë të vazhdojnë të shprehin mbështetjen e tyre për krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Sipas Kadriajt, tubimet dhe protestat paqësore duhet të vazhdojnë në Kosovë dhe në vendet evropiane ku jeton diaspora shqiptare.
“Angazhimi duhet të vazhdojë deri në përfundimin e procesit të Apelit dhe deri në një vendim lirues nga të gjitha pikat e aktakuzës për krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë”, ka deklaruar ai.
Kadriaj ka vlerësuar se kësaj kauze duhet t’i bashkohen të rinjtë, studentët, veteranët, familjet e dëshmorëve, shoqëria civile dhe mërgata shqiptare.
“Institucionet duhet të bëjnë pjesën e tyre. Populli duhet ta mbajë zërin gjallë. Nuk duhet të ndalemi. Deri në drejtësi! Deri në lirimin e tyre!”, ka përfunduar Kadriaj.



