Në Konsullatën e Kosovës në Cyrih të Zvicrës u mbajt Akademi Përkujtimore në nderim të dëshmorëve Gursel dhe Bajram Sylejmani
Në përvjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit, Gursel dhe Bajram Sylejmani, nën patronatin e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, në hapësirat e Konsullatës së Përgjithshme u mbajt Akademi Përkujtimore në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së tyre për lirinë e Kosovës.
Akademia u hap me intonimin e himnit, ndërsa të pranishmit i përshëndeti moderatori i mbrëmjes, z. Ramadan Morina me ftesë të tij u mbajt një minutë heshtje në nderim të Gursel dhe Bajram Sylejmanit dhe dëshmorëve të kombit. Në vijim, Konsulli i Përgjithshëm, z. Vigan Berisha, mbajti fjalën përshëndetëse.
Të pranishmëve iu drejtuan z. Rexhep Demiri, Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bern, si dhe z. Valon Gashi, diplomat në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bern, të cilët përmes fjalëve të tyre nderuan kujtimin dhe sakrificën e dëshmorëve.
Në kuadër të akademisë, z. Isuf Sherifi interpretoi poezi kushtuar Gursel dhe Bajram Sylejmanit, duke ndarë gjithashtu disa fjalë në kujtim të tyre. Z. Salih Sefa dhe z. Selami Neziri, të cilët i kishin njohur nga afër dëshmorët, ndanë me të pranishmit kujtime dhe fjalë për jetën, veprimtarinë dhe figurën e tyre.
Me fjalë përkujtimore u drejtua edhe z. Xhevxhet Ademi, Kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Viti, duke nderuar kontributin dhe sakrificën e Gursel dhe Bajram Sylejmanit.
Një pjesë e veçantë e mbrëmjes ishte fjala e Kaltrina Sylejmanit, vajzës së Gursel Sylejmanit, e cila iu drejtua të pranishmëve në emër të familjes.
Akademia u përmbyll me një pikë artistike nga Flutura Bytyqi, duke i dhënë mbrëmjes një dimension të veçantë përkujtimor dhe artistik.
Përmes kësaj akademie u nderua kujtimi i Gursel dhe Bajram Sylejmanit, si dhe sakrifica e të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.



