Gërvalla: Dhuna ndaj grave është krim, ndaj saj do të ketë zero tolerancë

24 gusht 2026 | 16:36

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas vrasjes së një 25-vjeçareje në Malishevë, ku i dyshuar për rastin është bashkëshorti i saj.

Gërvalla ka theksuar se dhuna ndaj grave nuk duhet të trajtohet si çështje private apo konflikt familjar, duke kërkuar zero tolerancë ndaj rasteve të tilla.

“Dhuna ndaj grave nuk është çështje private. Nuk është konflikt familjar. Nuk është ‘punë e shtëpisë’. Dhuna ndaj grave është krim dhe ndaj saj do të ketë zero tolerancë”, ka shkruar Gërvalla në “Facebook”.

Ajo ka thënë se rasti i 25-vjeçares përbën një alarm për shoqërinë dhe institucionet, duke kërkuar që dhuna të parandalohet para se të përfundojë me humbje jete.

Gërvalla, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që rastin ta trajtojnë me prioritet dhe të hetojnë çdo rrethanë.

“Përballë dhunës ndaj grave nuk mund të ketë heshtje, arsyetime apo indiferencë. Ka vetëm një përgjigje, drejtësi dhe vetëm drejtësi dhe zero tolerancë ndaj dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore”, ka shkruar ajo.

Rasti ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Kërvasari të Malishevës, ku 25-vjeçarja ka vdekur pas plagëve të marra nga arma e zjarrit.

I lënduar ka mbetur edhe bashkëshorti i saj, i cili sipas prokurorisë dyshohet për vrasjen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri britanik, Andy Burnham, ka riafirmuar mbështetjen e Mbretërisë së…