Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka bërë me dije se kjo parti nuk ndihet e tradhtuar për çështjen e zgjedhjes së presidentes.
Musliu-Shoshi: PDK nuk u tradhtua për presidenten, sepse nuk ka qenë pjesë e lojërave politike
Ajo ka vlerësuar se kjo parti nuk ka qenë pjesë e lojërave politike, por e parimeve.
Në profilin e saj në Facebook, Musliu-Shoshi ka shkruar se edhe kësaj radhe PDK i ka dhënë Kosovës institucione.
“PDK nuk u mashtrua e as nuk u tradhtua, sepse nuk ka qenë pjesë e lojërave politike, por pjesë e parimeve! Edhe kësaj radhe PDK i ka dhënë Kosovës institucione, përgjegjësi shtetërore dhe, mbi të gjitha, përkushtim për mbrojtjen e sakrificës dhe të luftës sonë çlirimtare. Prandaj, mos i ktheni shigjetat kah Bedri Hamza e kah PDK-ja! Nuk mund të kërkohet dorëheqje individuale për vendime që nuk janë marrë individualisht. Përgjegjësia duhet të jetë aty ku janë marrë vendimet”, ka shkruar ajo, duke shtuar se Kosova nuk është një lojë politike.
“Ne, si gjithmonë, qëndrojmë me përgjegjësi institucionale, por mbi të gjitha me përgjegjësi ndaj këtij vendi. Ndaj kësaj toke ku kemi rrënjët, ku prehen stërgjyshërit tanë dhe ku po rriten fëmijët tanë. Sepse për ne, Kosova nuk është lojë politike. Është atdheu ynë, përgjegjësia jonë dhe amaneti që nuk e tradhtojmë!”, ka shkruar ajo.



