Haradinaj uron Joe dhe Shirley DioGuardin për shtetësinë e Kosovës

24 gusht 2026 | 12:24

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar dy miqtë e tij të hershëm të Kosovës, Joe dhe Shirley DioGuardi, me rastin e marrjes së shtetësisë së Kosovës.

Haradinaj ka vlerësuar veçanërisht kontributin e Joe DioGuardit dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL), duke theksuar se ata ishin ndër të parët që, që nga viti 1989, ndihmuan në hapjen e dyerve të Uashingtonit dhe Kongresit Amerikan për çështjen shqiptare.

“Në ditët tona më të vështira, ata u bënë zëri ynë dhe ndërtuan urat e miqësisë së përjetshme me SHBA-të”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Ai ka theksuar se Kosova nuk i harron miqtë që e mbështetën në periudhat më të vështira, duke e cilësuar marrjen e shtetësisë si një simbol të lidhjes së veçantë të DioGuardëve me Kosovën.

“Nga sot ju jeni edhe zyrtarisht shtetas të Kosovës që e deshët dhe e mbrojtët aq shumë. Faleminderit për gjithçka!”, ka shkruar Haradinaj.

Në fund, ai ka uruar që miqësia mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të vazhdojë të jetë e fuqishme: “Zoti e bekoftë miqësinë tonë me Amerikën!”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi,…