Komisioni Evropian miraton 6.1 miliardë euro ndihmë të re mbrojtëse për Ukrainën
Komisioni Evropian ka miratuar të hënën 6.1 miliardë euro ndihmë të re për mbrojtjen e Ukrainës, e cila përfshin sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketore, raketa, municione dhe radarë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se mbështetja evropiane për Ukrainën mbetet e palëkundur.
“Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, Evropa tregon se mbështetja jonë është e palëkundur dhe konkrete. Sot, kemi miratuar 6.1 miliardë euro për sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore, raketat, municionet dhe radarët që i nevojiten urgjentisht Ukrainës”, ka deklaruar von der Leyen.
Financimi është pjesë e Kredisë Mbështetëse për Ukrainën, në vlerë prej 90 miliardë eurosh për periudhën 2026-2027. Nga kjo shumë, 60 miliardë euro janë të destinuara për mbrojtjen, ndërsa 30 miliardë euro për mbështetje buxhetore.
Komisioni Evropian ka theksuar se rritja e përdorimit të raketave balistike dhe dronëve nga Rusia e ka bërë urgjente forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
Shumica e prokurimeve të financuara përmes kësaj pakete pritet të sigurohen nga kompanitë evropiane të mbrojtjes.
Me miratimin e fundit, fondet për planet e prokurimit në fushën e mbrojtjes kanë arritur në 16 miliardë euro, prej të cilave 8.35 miliardë euro tashmë janë disbursuar.
Sipas Komisionit Evropian, Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare kanë siguruar gjithsej 220.2 miliardë euro mbështetje për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022.



