LLUKA: E VËRTETA E VENDIMIT GJYQËSOR – PA MANIPULIME

24 gusht 2026 | 15:27

Shkruan: Valon Lluka

Mbrëmë, Behgjet Pacolli publikoi një postim të pavërtetë dhe manipulues, duke pretenduar se një gjykatë në Abu Dhabi më ka urdhëruar mua, Valon Llukën, të kthej mjete të “përfituara në mënyrë të paligjshme”. Kjo është gënjeshtër.

Vendimi gjyqësor thotë pikërisht të kundërtën:

  1. Padia ndaj meje personalisht është rrëzuar.
  2. Gjykata ka konstatuar se kam vepruar vetëm në cilësinë e drejtuesit të kompanisë dhe jo në emrin tim personal.
  3. Gjykata ka konstatuar se nuk kam lidhur personalisht kontratën, nuk kam pranuar asnjë shumë dhe se nuk është provuar as mashtrim, as tejkalim kompetencash dhe as përgjegjësi personale nga ana ime.
  4. Detyrimi financiar i është ngarkuar vetëm “Të Paditurit të Parë”, dhe jo mua, Valon Llukës.

Madje, edhe në fragmentin që vetë Behgjet Pacolli ka publikuar, shkruhet qartë:

“Të Paditurit të Parë i urdhërohet t’i paguajë Paditësit shumën prej 1,748,680.61 EUR.”

Unë isha “I Padituri i Dytë”. Prandaj, ky detyrim nuk më është ngarkuar mua. Çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe është manipulim i qëllimshëm i opinionit publik.

Në vendim nuk ekziston asnjë konstatim gjyqësor se unë kam vjedhur, kam përfituar mjete në mënyrë të paligjshme, kam përdorur kontrata fiktive apo kam mashtruar punonjësit e kontabilitetit. Këto janë akuza të fabrikuara nga Behgjet Pacolli dhe jo konstatime të Gjykatës.

Po aq i pavërtetë është edhe pretendimi i vazhdueshëm i Behgjet Pacollit se kinse ka qëndruar larg kompanisë dhe vendimeve menaxheriale. Kam në dispozicion prova dhe dokumente të shumta që dëshmojnë se ai ka ndërmarrë personalisht veprime dhe ka marrë vendime i vetëm.

Nuk mund të distancohet sot nga vendimmarrja vetëm atëherë kur i leverdis, ndërsa njëkohësisht të më ngarkojë mua me përgjegjësi përmes deklaratave të pavërteta.

Prandaj, sot po e publikoj vendimin gjyqësor saktë dhe pa prerje selektive, në mënyrë që secili qytetar ta lexojë vetë të vërtetën.

Pas 19 vitesh pune, përkushtimi dhe përgjegjësish të mëdha në kompanitë e tij, përgjigjja e Behgjet Pacollit ndaj meje janë shpifjet publike dhe manipulimi i një vendimi gjyqësor që e ka rrëzuar padinë ndaj meje.

Dokumentet flasin vetë.

Gënjeshtra nuk bëhet e vërtetë, sado herë që përsëritet.

Për këto deklarata të pavërteta dhe dëmtimin e qëllimshëm të reputacionit tim, do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore përkatëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ferran Torres ka folur pas debutimit të tij me Paris…