Januzi: Minatorët fshehin sëmundjet nga frika se mund të humbin vendet e punës
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, ka ngritur shqetësime për gjendjen shëndetësore të minatorëve, duke thënë se një pjesë e tyre fshehin sëmundjet nga frika se mund të humbin vendet e punës.
I ftuar në emisionin “Gazeta”, Januzi tha se në mesin e minatorëve ka shumë probleme shëndetësore, por sipas tij, shqetësimi kryesor është se këto sëmundje nuk raportohen.
“Ne kemi shumë sëmundje, mirëpo problemi është që minatorët i fshehin këto sëmundje për arsye se nëse ato publikohen, një pjesë e tyre rrezikojnë të humbin vendin e punës”, tha Januzi.
Ai tha se e merr me përgjegjësi të plotë këtë deklaratë, duke theksuar se gjatë komunikimit me mjekët e Institutit të Mjekësisë së Punës, disa minatorë kanë fshehur problemet e tyre shëndetësore nga frika se mund të mbesin pa punë.
“Me përgjegjësi të plotë po them se gjatë komunikimit me mjekët e Institutit të Mjekësisë së Punës i kanë fshehur këto sëmundje, nga frika se nesër mund t’i humbin vendet e punës”, u shpreh ai.
Januzi përmendi edhe një rast të vitit 2004, duke thënë se një situatë e tillë kishte ndodhur edhe atëherë.



