Lushtaku: Kurti s’duhet të ftohet në protestë, më me dëshirë e sheh Thaçin të dënohet

24 gusht 2026 | 22:38

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk do të duhej të ftohej në protestën e organizuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën organizimin e platformës “Liria ka Emër”.

Në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, Lushtaku tha se, sipas tij, Kurti nuk ka kontribuar për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

“Pavarësisht se unë besoj që Albin Kurti më shumë e dëshiron që me u dënu Hashim Thaçi edhe të tjerët në Hagë, “Liria ka Emër” ka menduar që më duhet t’i thirr të gjithë. Unë personalisht thashë që unë besoj që Albin Kurti më me dëshirë e sheh Hashim Thaçin që dënohet sesa që lirohet, sepse ai kalkulon politikisht, nuk kalkulon për çështje kombëtare, fatkeqësisht.”

Lushtaku e theksoi qëndrimin e tij, duke thënë se Kurti nuk do të duhej të ishte i ftuar në atë organizim.

“Nuk do të duhej të ftohet fare Albin Kurti në atë protestë. Dihet, ka thënë “Hashim shkon në Hagë” gjithmonë, nuk ka kontribuar që me u mbyllë, domethënë, Gjykata Speciale.”

Lushtaku tha se PDK-ja e mbështet organizimin “Liria ka Emër” dhe se mbrojtja e luftës së UÇK-së duhet të jetë përtej përkatësive partiake.

“Gjithsesi është organizimi “Liria ka Emër”. Partia Demokratike e Kosovës ka dalë haptas që janë mbështet dhe ne besojmë që pavarësisht bindjeve politike duhet të ketë çdo qytetar dalë.”

Ai gjithashtu deklaroi se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, sipas tij, po mbrojnë luftën e UÇK-së në Hagë.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, ata po e mbrojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atëherë kur s’ka ekzistuar as Partia Demokratike e Kosovës, as Lëvizja Vetëvendosje, edhe aty ka qenë lufta për mbijetesë, ka qenë lufta çlirimtare që ka mbrojtur nga një masakër e radhës që ka ndodhur nga aparati shtetëror i Serbisë.”

Lushtaku tha se mbështetja ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të jetë e sinqertë dhe jo vetëm për arsye politike.

“Dhe unë besoj personalisht besoj që të gjithë duhet të jemi për, por jo vetëm sa për sy e faqe.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një këmbësor është goditur nga një veturë në rrugën Podujevë-Prishtinë.…