Rrëshqitje dheu në Guine, 30 të vdekur dhe 22 të plagosur
Të paktën 30 persona kanë humbur jetën dhe 22 të tjerë janë plagosur pas një rrëshqitjeje dheu në një deponi të madhe mbeturinash në kryeqytetin e Guinesë, Conakry.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 sipas kohës lokale, në komunën Gbessia, pasi reshjet e dendura gjatë natës kanë shkaktuar shembjen e një pjese të deponisë. Rrëshqitja ka përfshirë edhe tenda dhe kasolle të ngritura pranë saj.
Sipas autoriteteve, gjashtë prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, ndërsa 16 kanë pësuar lëndime të lehta.
Rrëshqitja ka ndodhur më pak se një javë pasi qeveria kishte njoftuar planet për mbylljen e deponisë dhe zhvendosjen e mbeturinave, për shkak të rreziqeve të sigurisë, veçanërisht gjatë sezonit të shirave.
Kryeministri i Guinesë, Amadou Oury Bah, ka vizituar vendin e ngjarjes për të parë nga afër dëmet dhe për të mbikëqyrur operacionet e shpëtimit.
Ekipet e emergjencës po përdorin ekskavatorë dhe pajisje të rënda për të larguar mbeturinat dhe për të kërkuar të mbijetuar.
Dëshmitarët kanë thënë se rrëshqitja ishte aq e madhe sa ka varrosur një pallat apartamentesh, së bashku me disa banesa të improvizuara.
Mes viktimave janë edhe pesë fëmijë. Banorja Cire Diallo u ka thënë gazetarëve se i ka humbur të pesë fëmijët e saj në këtë tragjedi.
Qeveria u ka bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të qetë, të tregojnë solidaritet dhe të ndjekin udhëzimet e ekipeve të shpëtimit dhe autoriteteve.



