Çitaku: Në burg është UÇK-ja, historia dhe lufta jonë për liri
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Çitaku ka thënë se më 16 shtator nuk do të vendoset vetëm për fatin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, por edhe për mënyrën se si do të trajtohet historia e Kosovës dhe lufta e saj për liri.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo ka theksuar se ish-krerët e UÇK-së nuk duhet të shihen vetëm përmes përkatësive të tyre politike.
“Nuk është në burg Hashim Thaçi i PDK-së. Në burg është Hashim Thaçi i UÇK-së. Hashim Thaçi i Kosovës”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka përcjellë mesazhin se përtej dallimeve politike, në këtë proces duhet të vendoset në qendër Kosova dhe historia e saj.
“Në burg është UÇK-ja, historia dhe lufta jonë për liri”, ka theksuar Çitaku.



