Enver Hoxhaj nis mobilizimin e strukturave të PDK-së për pritjen e ish-liderëve të UÇK-së
Deputeti i PDK-së dhe miku e bashkëpunëtori shumëvjeçar i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, Enver Hoxhaj, ka nisur takimet mobilizuese me degët dhe strukturat e partisë për organizimin e pritjes së ish-liderëve të UÇK-së.
Pas takimeve të djeshme në Dragash dhe Zhur, Hoxhaj sot ka vazhduar mobilizimin në Suharekë.
“Bashkë me strukturat e PDK-së në Dragash dhe Zhur, në përgatitje të kthimit të çlirimtarëve!”, ka shkruar ai dje.
Ndërsa sot, nga Suhareka, Hoxhaj ka bërë të ditur se takimet do të vazhdojnë edhe në qytete të tjera.
“Nga qyteti në qytet me strukturat e PDK-së. Sot në Suharekë për ditën e shumëpritur të lirisë, për kthimin e çlirimtarëve në atdhe”, ka shkruar Hoxhaj.
Këto takime po zhvillohen në prag të 16 shtatorit, kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dhe janë pjesë e përgatitjeve për organizimin e pritjes së tyre në Kosovë.



