Joe dhe Shirley DioGuardi marrin shtetësinë, Kurti: Dy shtetas të rinj të Republikës, por miq të vjetër të Kosovës

25 gusht 2026 | 20:55

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka bërë të ditur se ish-kongresisti amerikan me origjinë shqiptare, Joe DioGuardi, dhe bashkëshortja e tij, Shirley Cloyes DioGuardi, tashmë janë zyrtarisht shtetas të Republikës së Kosovës.

Kurti ka njoftuar se dyshja janë pritur në Zyrën e Kryeministrit, ku i ka falënderuar për kontributin e tyre shumëvjeçar në mbështetje të Kosovës dhe shqiptarëve.

“Dy shtetas të rinj të Republikës, por miq të vjetër të Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Ai ka vlerësuar veçanërisht angazhimin e tyre për rreth katër dekada, nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara deri te puna e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Kurti ka theksuar se Joe DioGuardi, si ish-kongresisti i parë amerikan me origjinë shqiptare, së bashku me figura të njohura amerikane si Tom Lantos, Bob Dole dhe Eliot Engel, ishte ndër zërat e hershëm dhe më të fuqishëm në mbështetje të shqiptarëve dhe Kosovës.

“Kosova ishte me fat dhe e bekuar që pati ambasadorë të këtillë edhe kur s’kishte ambasadë të Republikës në SHBA”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka shtuar se Joe dhe Shirley DioGuardi vazhdojnë të interesohen për zhvillimet në Kosovë dhe të japin ide e kontribut për të ardhmen e vendit.

Në takim, sipas Kurtit, është diskutuar edhe për angazhimin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe zhvillimet aktuale në Kosovë.

Postimi i plotë:

Dy shtetas të rinj të Republikës, por miq të vjetër të Kosovës.

Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, përveçse Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tani zyrtarisht i përkasin edhe Republikës së Kosovës, sepse përherë e palëkundur qëndruan për kombin dhe me popullin shqiptar. Joe e Shirley gjithnjë interesohen për zhvillimet në Kosovë dhe japin ide e kontribut të çmuar.

Në takimin e përzemërt që zhvilluam sot në Zyrën e Kryeministrit, i falënderova për kontributin e tyre të pamatshëm për rreth katër dekada nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara te Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Sikurse edhe anëtarët e Bordit të Ligës, me të cilët zhvilluam një diskutim të këndshëm për angazhimin e tyre të vyer dhe përkushtimin e paepur për atdheun, si dhe për aktualitetet dhe të ardhmen.

Ish-kongresisti i parë amerikan me origjinë shqiptare, Joe DioGuardi, bashkë me plejadën e Tom Lantos, Bob Dole dhe Eliot Engel, ishin nga zërat e hershëm dhe të fuqishëm mbështetës në kohët kur populli ynë kishte më së shumti nevojë të dëgjohej në botë.

Kosova ishte me fat dhe e bekuar që pati ambasadorë të këtillë edhe kur s’kishte ambasadë të Republikës në ShBA, andaj jemi përherë mirënjohës si shtet dhe popull.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka mbajtur një konferencë për…