OVLUÇK-ja mbështet protestën e 12 shtatorit në mbështetje të liderëve të UÇK-së

25 gusht 2026 | 14:10

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë me dije OVLUÇK-ja e mbështet protestën e thirrur nga platforma “Liria ka Emër”, e cila do të mbahet më 12 shtator në mbështetje të krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Gucati u ka bërë thirrje qytetarëve, veteranëve dhe shoqatave të dala nga lufta që t’i bashkohen protestës, duke kërkuar që ajo të jetë masive.

“Është thirrë një protestë nga ‘Liria ka Emër’ më 12 shtator ku ne si OVLUÇK u bëjmë ftesë të gjithë qytetarëve, por edhe ne t’i bashkëngjitemi protestës. Ne do ta mbështesim protestën, do të bëjmë thirrje që të dalim. Protesta të jetë një protestë e madhe, madhështore nga të gjithë qytetarët, nga veteranët, nga të gjitha strukturat”, ka deklaruar Gucati.

Megjithatë, ai ka theksuar se OVLUÇK-ja nuk mund të jetë pjesë e një organizimi ku, sipas tij, përfshihet Vetëvendosja.

“Por nuk mund të jemi aty ku ata i bëjnë thirrje Vetëvendosjes, ku ne e dimë lideri i tyre në Parlamentin e Kosovës i quante kriminelë Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe të tjerët, ku thotë Serbia ka bërë krime, po më konsumues thotë ata mrapa meje janë kriminelë. Ju e keni dëgjuar dhe e keni, e dini se ku jemi këtu”, ka thënë Gucati.

Gucati ka kritikuar gjithashtu qëndrimet e Vetëvendosjes ndaj veteranëve të UÇK-së, duke përmendur edhe çështjen e pagës minimale.

“Dhe nuk mund të jemi ato me deputetët e tyre ku të cilët na heqin nga paga minimale me ligjin e pagave para tre vjetëve, mos paça pasur se unë kam qenë në burg me ato ku na heqin nga paga minimale veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se sot janë në gjendje të tmerrshme, 67 me kancer, dhe ne s’mund të jemi”, është shprehur ai.

Gucati ka bërë thirrje që shoqatat e dala nga lufta t’i bashkohen këshillit organizativ të protestës.

Mbi 200 mijë nënshkrime për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

Kryetari i OVLUÇK-së ka folur edhe për peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime, të cilin organizata e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale, me kërkesë për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

“Organizata e Veteranëve ka marrë një iniciativë për nënshkrimet apo peticionin ku kemi mbledhur mbi 200 mijë nënshkrime dhe i kemi dorëzuar në Gjykatën Speciale, për lirimin e shokëve tanë nga burgu që mbahen padrejtësisht sot në Hagë”, ka deklaruar Gucati.

Sipas tij, OVLUÇK-ja ka zhvilluar takime me ambasada dhe institucione ndërkombëtare, ndërsa gjatë kësaj periudhe ka dërguar mbi 300 letra te personalitete ndërkombëtare.

“Takimet tona kanë qenë me ambasadat mike në Kosovë, këtë periudhë kemi dërguar mbi 300 letra personaliteteve ndërkombëtare, ku prej tyre janë 285 anëtarë të asamblesë së Këshillit të Evropës, gjithmonë duke kërkuar drejtësi, barazi në Gjykatën Speciale”, ka thënë ai.

Gucati ka përmendur edhe takimet me Parlamentin e Zvicrës, Parlamentin Evropian, përfaqësues në Vatikan, si dhe takimin me kryetaren e veteranëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadën Amerikane.

Ai e ka cilësuar si të rëndësishëm takimin në Vatikan, duke theksuar se për herë të parë një përfaqësues i Organizatës së Veteranëve ka zhvilluar takim në këtë institucion.

OVLUÇK-ja fokusohet në aktivitetin diplomatik

Gucati ka bërë me dije se Kryesia e OVLUÇK-së ka marrë vendim që veprimtarinë e saj ta përqendrojë në arenën ndërkombëtare dhe diplomatike.

“Ne sot nga kjo mbledhje e Kryesisë kemi marrë një vendim. Ky vendim është marrë duke u bazuar në qëndrimin tonë që nga themelimi i Gjykatës Speciale, pasi që kemi qenë të bindur se ajo është politike dhe vazhdon të jetë e ndikuar me politika”, ka thënë ai.

Sipas Gucatit, OVLUÇK-ja do të vazhdojë aktivitetet diplomatike dhe takimet me përfaqësues ndërkombëtarë, duke kundërshtuar Gjykatën Speciale dhe duke kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

“Kemi pritur, i kemi bërë ftesë që të takohemi me shumë njerëz para seancës, të takohemi, kështu që ne tash do të shtrihemi në rrugën diplomatike ndërkombëtare gjithmonë kundër Gjykatës Speciale. Po ashtu presim lirimin e tyre dhe shpresoj e besoj, siç besoni ju si media dhe siç besojnë qytetarët e Kosovës, edhe ne si bartës të organizatës së dalë nga lufta dhe shoqatat e tjera, jemi me shpresë se sa më shpejt t’i kemi këtu pranë familjeve të tyre, vendit të tyre dhe të liruar të lirë”, ka thënë Gucati.

Llugiqit i hiqet anëtarësia e OVLUÇK-së

Në mbledhjen e Kryesisë është marrë edhe vendimi që Skender Llugiqit t’i largohet anëtarësia në OVLUÇK.

Gucati ka sqaruar se vendimi është marrë pas deklaratave të Llugiqit në Kuvend dhe, sipas tij, pas fyerjeve ndaj gjeneralit Ramush Haradinaj.

“Ai ka të drejtë të jetë veteran, ka të drejtë t’i marrë pensionet, por s’ka të drejtë të jetë anëtar i organizatës. Skender Llugiqi, me fjalën e tij që e kemi dëgjuar sot në parlament, me fyerjet që i ka bërë gjeneralit Ramush Haradinaj, sot përjashtohet nga organizata e veteranëve të luftës dhe nuk ka të drejtë të jetë librezë apo të jetë anëtar i joni i organizatës”, deklaroi ai.

Sipas Gucatit, Llugiqi do të vazhdojë t’i gëzojë të drejtat që i takojnë si veteran i luftës, përfshirë pensionin, por nuk do të jetë më pjesë e OVLUÇK-së.

“Ai veteran mund të jetë i luftës, pa dyshim, mund t’i gëzojë të gjitha pensionet, por anëtar i joni nuk mund të jetë, anëtar i organizatës të veteranëve të luftës tek ne. Këto janë dy vendime që sot i ka marrë organizata e veteranëve”, ka thënë Gucati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka reaguar për vdekjen e…