Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, i cili dyshohet për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se, në cilësinë e një personi të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si BIA, ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi.
“Sipas aktakuzës, F.Sh., nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si ‘BIA’, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë.
Ai dyshohet se ka mbledhur dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, për veprën penale “Shantazh”, Sheholli akuzohet se gjatë periudhës nga viti 2022 deri në dhjetor 2025 ka shantazhuar të dëmtuarin me inicialet A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij në një shumë që tejkalon 13 mijë euro.
Sipas aktakuzës, ai i kishte kërkuar të dëmtuarit para në emër të huazimit, duke e kërcënuar se në rast të mosdhënies së tyre do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që, sipas pretendimit të Prokurorisë, do të mund t’ia dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin.
Çështja tashmë ka kaluar në shqyrtim në Gjykatën Themelore, ndërsa i pandehuri ndodhet nën masën e paraburgimit.



