Tahiri: 120 deputetëve po u mohohet ushtrimi i mandatit të fituar nga populli
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se deputetëve të Kuvendit të Kosovës po u mohohet e drejta për ta ushtruar mandatin e fituar në zgjedhje.
Në një deklaratë para mediave, Tahiri ka thënë se mandati i deputetit buron nga vullneti i qytetarëve dhe se askush nuk mund ta pengojë ushtrimin e tij.
“Mandati i deputetit buron nga populli dhe askush nuk guxon të na e marrë. 120 deputetëve nuk po u lejohet ushtrimi i mandatit të fituar në zgjedhje”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka theksuar se të gjithë deputetët janë të barabartë në ushtrimin e mandatit dhe se një deputet nuk mund t’ia mohojë mandatin një deputeti tjetër.
“Deputeti është i barabartë me deputetin tjetër, nuk mund t’ia marrë mandatin. Kjo është shkelje e të drejtës themelore në demokraci dhe shkelje e të drejtave të njeriut”, ka thënë Tahiri.



