Uran Ismaili: Qytetarët po paguajnë çmimin e bllokadës institucionale
Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka kritikuar situatën aktuale politike në vend, duke thënë se qytetarët e Kosovës po e paguajnë çmimin e krizës dhe bllokadës institucionale.
Përmes një postimi, Ismaili ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e mban vendin në bllokadë për shkak të kalkulimeve politike.
“Populli i Kosovës nuk mund të mbahet peng për shkak të kalkulimeve politike të një partie apo të një njeriu”, ka shkruar Ismaili.
Ai ka bërë thirrje që të vazhdojë seanca konstituive, të konstituohet Kuvendi dhe institucionet e shtetit t’i kthehen punës.
Sipas Ismailit, prioritet duhet të jetë respektimi i Kushtetutës së Kosovës.
“Ne nuk do të ndalemi dhe nuk do të tërhiqemi derisa Kuvendi të konstituohet, institucionet të funksionalizohen dhe Kosova t’u kthehet qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Ismaili ka theksuar se mobilizimi i tyre do të vazhdojë deri në fund, pasi, sipas tij, qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë.



