Vdekja e punëtorëve në vendin e punës, Sindikata e Re e KEK-ut zhvillon aksion simbolik para zyrave të KEK-ut
Sindikata e Re e KEK-ut ka zhvilluar një aksion simbolik para zyrave të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Prishtinë, duke kërkuar kushte më të mira dhe siguri më të madhe për punëtorët.
Aksioni është zhvilluar disa ditë pas vdekjes së një punëtori në KEK. Gjatë tij, sindikalistët kanë vendosur fotografi të punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka thënë se punëtorët në Kosovë nuk kanë mbrojtjen e duhur ligjore dhe ka kërkuar respektimin e Ligjit të Punës.
“Ne sot si sindikatë e KEK-ut, me një aksion simbolik para drejtorisë dhe menaxhmentit të KEK-ut, vendosëm disa fotografi të kolegëve tanë që kanë humbur jetën në vendin e punës”, ka deklaruar Jashari.
Ai ka kërkuar nga institucionet dhe menaxhmenti i KEK-ut që të ndërmarrin masa për parandalimin e rasteve të tilla.
“Prandaj kërkojmë që të jetë… kjo vdekje të jetë e fundit dhe të mos përsëritet asnjëherë në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe asnjë vend në Kosovë”, ka thënë Jashari.
Jashari ka njoftuar gjithashtu se të nesërmen, nga ora 08:00, në tri divizionet e KEK-ut do të zhvillohet protestë solidarizuese me familjet e punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës.
Sindikalistët kritikojnë BSPK-në
Nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka thënë se aksioni simbolik do të vazhdojë edhe para Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Llumnica ka kritikuar kryetarin e BSPK-së për, siç ka thënë, mungesë reagimi ndaj rasteve të vdekjeve të punëtorëve.
“Ne sot kemi vendosur, përveç atyre që tha kryetari dhe i shpalli punëtorët e vdekur aksidentalisht në vitin 2026 heronj, me vendimin e kryesisë të shkojmë dhe me një aksion simbolik të bëjmë te Bashkimi i Sindikatave të Pavarura”, ka deklaruar Llumnica.
Ai ka thënë se vendosja e fotografive të punëtorëve para BSPK-së do të jetë një shenjë proteste ndaj, siç e ka cilësuar ai, heshtjes së sindikatës për rastet e vdekjeve në vendin e punës.
Sindikata e Re e KEK-ut ka përsëritur kërkesën që institucionet të garantojnë siguri më të madhe në vendet e punës dhe që rasti i fundit të jetë i fundit i këtij lloji në KEK.



