Aktakuza ndaj Shehollit, OVLUÇK-ja: Institucionet t’i ndjekin provat, Kosova duhet ta dijë kush punoi kundër saj

26 gusht 2026 | 16:03

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK) ka reaguar lidhur me aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, i dyshuar për spiunazh për Serbinë, duke kërkuar që rasti të mos trajtohet vetëm si çështje e përgjegjësisë individuale, por edhe si çështje e sigurisë kombëtare të Kosovës.

OVLUÇK-ja ka theksuar se institucionet duhet të hetojnë çdo lidhje të mundshme dhe të zbulojnë nëse rasti lidhet me rrjete më të gjera të spiunazhit.

“OVLUÇK-ja kërkon që aktakuza ndaj Fatmir Shehollit të mos trajtohet thjesht si çështje e përgjegjësisë individuale, por si çështje e sigurisë kombëtare të Kosovës. Respektojmë prezumimin e pafajësisë; fajësia vërtetohet vetëm përmes procesit gjyqësor të pavarur, profesional dhe transparent. Por akuzat për spiunazh dhe shantazh, përfshirë bashkëpunimin e supozuar me BIA-n e Serbisë, i detyrojnë institucionet të gjurmojnë çdo kontakt, ndërmjetës, burim, komunikim, lidhje financiare dhe marrës të materialeve të ndjeshme. Nëse provat zbulojnë rrjete më të gjera, ato duhen shpërbërë pa hezitim”, është thënë në reagim.

Sipas OVL-UÇK-së, Kosova nuk duhet të lejojë struktura të fshehta që, sipas tyre, mund të veprojnë në kundërshtim me interesat e shtetit.

“Kosova nuk duhet të tolerojë struktura të fshehta që grumbullojnë informacione, formësojnë narrativa apo u shërbejnë interesave të huaja kundër sigurisë, sovranitetit dhe integritetit të saj territorial”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.
OVLUÇK-ja ka kërkuar gjithashtu që institucionet të verifikojnë nëse shërbimet inteligjente të Serbisë kanë mbledhur, përcjellë apo shfrytëzuar materiale që lidhen me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Institucionet duhet të vërtetojnë gjithashtu nëse shërbimet inteligjente armike kanë mbledhur, përcjellë apo shfrytëzuar materiale për luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së. Kjo nuk e barazon aktakuzën ndaj Shehollit me proceset pranë Dhomave të Specializuara; kjo kërkon qartësi mbi origjinën, përcjelljen, kontekstin dhe përdorimin e materialeve që mund të sjellin pasoja politike, institucionale apo gjyqësore”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.

Organizata ka theksuar se, sipas saj, përpjekjet për mbrojtjen e narrativës dhe të së vërtetës për luftën e UÇK-së vazhdojnë edhe pas përfundimit të luftës.

“Beteja për mbrojtjen e të vërtetës së UÇK-së nuk përfundoi më 12 qershor 1999. Ajo vazhdon kundër luftës hibride, propagandës dhe shtrembërimit të qëllimshëm të historisë mbi të cilën ngrihet ky shtet”, është thënë në reagim.

Në fund, OVL-UÇK u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që t’i ndjekin provat deri në fund dhe të zbardhin çdo lidhje të mundshme.

“Institucionet e drejtësisë dhe sigurisë duhet të ndjekin provat kudo që të çojnë. Kosova ka të drejtë të dijë kush punoi kundër saj, përmes cilave kanale dhe në interes të kujt”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së Aleancës, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër…