‘Deputetët po marrin paga pa punuar absolutisht asgjë, bllokimi i institucioneve ka një adresë: Kurti dhe Vetëvendosje’

26 gusht 2026 | 12:17

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar situatën politike dhe mosfunksionimin e institucioneve të Kosovës, duke deklaruar se deputetët e rinj po paguhen pa kryer punën për të cilën janë zgjedhur.

Hoti ka deklaruar se, me përmbylljen e muajit gusht, 120 deputetët e betuar të Kuvendit të Kosovës ritet t’i marrin pagat e tyre, ndonëse, sipas tij, nuk kanë bërë “absolutisht asgjë”.

“Rezultati i zgjedhjeve të qershorit është i qartë: partia e parë, së bashku me një pjesë të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, e ka mundësinë ta konstituojë Kuvendin dhe ta formojë qeverinë”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Sipas Hotit, pas konstituimit të institucioneve do të mund të zhvilloheshin negociatat ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit, brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh.

“Në ndërkohë, javët e gushtit dhe muaji shtator do të shfrytëzoheshin për punë konkrete dhe urgjente: rishikimin e buxhetit të këtij viti, i cili është dëmtuar dhe është bërë katrahurë me vendime arbitrare të qeverisë në detyrë, ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në mënyrë që të mos humben fondet, në veçanti fondet e BE-së në kuadër të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë nga opozita, në veçanti shqyrtimi urgjent i raporteve të Auditorit të Përgjithshëm, të cilat raporte nuk janë shqyrtuar as për vitin 2024”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, bllokimi i funksionimit të institucioneve ka një adresë.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe Kurti dhe të gjithë ata që, në çfarëdo forme, po e ndihmojnë këtë bllokim të funksionimit të dy institucioneve të larta të shtetit”, ka shkruar Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e…