Kurti 4 rikthen Kodin e ri Civil, ishte bllokuar për shkak të nenit që u hapte rrugë martesave të personave të gjinisë së njëjtë
Qeveria Kurti 4 ka miratuar, në mbledhjen e saj të fundit, programin e projektligjeve që synon t’i përgatisë për miratim në Kuvend deri në vitin 2028.
Në këtë program përfshihet edhe Projektkodi Civil, i cili kishte dështuar të miratohej në vitin 2022, për shkak se përmbante një nen që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.
Qeveria synon ta përgatisë këtë projektligj dhe ta dërgojë për miratim në Kuvend deri më 15 nëntor të këtij viti. Këtë detyrë duhet ta kryejë Ministria e Drejtësisë, e udhëhequr nga Donika Gërvalla.
Ky ligj kishte bërë që Eman Rrahmani të ndahej nga Lëvizja Vetëvendosje.
Deputeti, tashmë pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ka shkruar dje në “Facebook” për këtë çështje.
“Mirëmëngjesi, ju habibat e Albinit! E paska vendosë me ju nderu shpejt me ligje, veç bëhuni gati! Ju që doni me u martu burra me burra e gra me gra, Kodin Civil po jua sjell në Qeveri më 15 nëntor. Ju që po prisni me lindë gratë pa burra, ligjin po jua sjell në Qeveri më 30 dhjetor. E për ju që jeni tu pritë me ndërru gjininë, paska me ju nderu për natën e Vitit të Ri! Ligjin po jua sjell në Qeveri më 31 dhjetor. Qysh thojke edhe njani: ‘Shyqyr që të kemi, Albin!’”, ka shkruar Rrahmani.
Në Ministrinë e Drejtësisë ishin detyruar të ndërhynin sërish në këtë projektkod, i cili kishte dështuar të miratohej në mars të vitit 2022.
Kodi i ri Civil përmbante një nen për regjistrimin e bashkësive civile ndërmjet personave të së njëjtës gjini, i cili kishte shkaktuar pakënaqësi edhe te deputetë të mazhorancës.
Dhjetëra deputetë të LV-së në pushtet kishin votuar kundër ose kishin abstenuar, për shkak se projektkodi përfshinte një nen që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.
Një pjesë e këtyre deputetëve nuk kishin ngurruar as ta merrnin fjalën në seancën e 16 marsit 2022 në Kuvend, për t’u shprehur bindshëm kundër këtij projektkodi.
Kërkesa e parisë së partisë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, nuk kishte ndikuar aspak te deputetët që kundërshtonin projektkodin, të cilët kishin mbajtur fjalime të mbushura me fyerje dhe homofobi. Ministrja e atëhershme e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i kishte cilësuar këto fjalime si të papranueshme.
Deputetët konservatorë të LV-së, të cilët ndanin të njëjtin qëndrim se Kodi i ri Civil nuk duhej të miratohej me atë nen në përmbajtje, një qëndrim krejtësisht atipik për një parti të majtë, siç deklarohet të jetë Vetëvendosja, i kishin parë pasojat e para në maj të atij viti. Asnjëri prej tyre nuk ishte kandidat për ndonjë pozitë udhëheqëse brenda LV-së në zgjedhjet e brendshme të kësaj partie, të cilat ishin mbajtur më vonë gjatë atij viti.
Për disa vjet mbeti e paqartë se kur do të synohej që ky projektligj të sillej sërish për miratim në Kuvend.
Kryetarja e atëhershme e grupit parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, kishte deklaruar se Kodi i ri Civil do të shqyrtohej në vjeshtë të atij viti, por kjo nuk ndodhi.
Ndërkombëtarët e kishin vlerësuar këtë kod si shumë të rëndësishëm dhe kishin kërkuar miratimin e tij. Në anën tjetër, bashkësitë fetare në Kosovë ishin bashkuar për të kërkuar të kundërtën.



