DhTIK-u: Shitjet e prodhuesve kanë rënë deri në 20 për qind, rrezikohen vendet e punës
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK) ka mbajtur një takim me bizneset anëtare nga sektori prodhues, ku janë diskutuar problemet dhe sfidat me të cilat po përballen kompanitë vendore.
Bizneset kanë ngritur shqetësime për ndikimin e gjendjes aktuale në kapacitetet e prodhimit, shitjet dhe qëndrueshmërinë e vendeve të punës. Ndër problemet kryesore janë përmendur çmimet e larta të lëndës së parë dhe produkteve bujqësore, rritja e kostove të energjisë dhe kostot e tjera të prodhimit.
“Bizneset kanë raportuar rënie të shitjeve deri në 20 për qind dhe rënie të fitimit, ndërsa kanë paralajmëruar se, nëse kjo situatë vazhdon, shumë kompani mund të detyrohen të ulin numrin e të punësuarve dhe kapacitetet prodhuese”, është thënë në komunikatë.
Prodhuesit kanë ngritur shqetësime edhe për mungesën e mbështetjes për prodhimin vendor, problemet në inkasimin e borxheve dhe kanë kërkuar që pagesa e TVSh-së të lidhet me momentin e inkasimit të faturave.
Po ashtu, bizneset kanë kërkuar trajtim më të favorshëm të produkteve vendore në treg, si dhe mbështetje më të madhe nga marketet dhe pikat e shitjes.
“Ekonomia informale, mungesa e punëtorëve profesionalë dhe vështirësitë në sigurimin e fuqisë punëtore mbeten gjithashtu sfida të mëdha”, është thënë në komunikatë.
Në takim është diskutuar edhe angazhimi i punëtorëve të huaj. Bizneset kanë vlerësuar se kjo nuk ka rezultuar zgjidhje afatgjatë për mungesën e fuqisë punëtore.
“Angazhimi i punëtorëve nga jashtë nuk ka qenë zgjidhje afatgjatë, pasi një pjesë e tyre Kosovën e përdorin si vend transit drejt vendeve të Evropës”, është thënë në komunikatë.
Shqetësim për sektorin prodhues mbetet edhe situata institucionale në vend. Sipas bizneseve, kriza politike dhe mosfunksionimi i plotë i institucioneve qendrore po ndikojnë në aktivitetin ekonomik.
“Shqetësim mbetet edhe mosfunksionimi i plotë i institucioneve qendrore si pasojë e krizës politike, mungesa e angazhimit institucional, si dhe problemet në eksport, veçanërisht me Serbinë, e cila vazhdon të mos i njohë dokumentet e lëshuara nga institucionet e Kosovës”, është thënë në komunikatë.
DhTIK-u ka vlerësuar se problemet e paraqitura nga prodhuesit kërkojnë reagim të shpejtë dhe një qasje të koordinuar nga institucionet.
“Prodhuesit vendorë nuk duhet të përballen të vetëm me rritjen e kostove, rënien e shitjeve, mungesën e punëtorëve, konkurrencën e padrejtë nga ekonomia informale, vështirësitë në eksport dhe pasojat e mosfunksionimit institucional”, është thënë në përfundim të komunikatës.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka bërë thirrje për mbështetje më të madhe institucionale ndaj prodhimit vendor, në mënyrë që të mbrohen kapacitetet prodhuese dhe vendet e punës.



