Prokuroria jep detaje për rastin në Prizren: 81-vjeçari dyshohet se ushtroi dhunë ndaj gruas

26 gusht 2026 | 14:39

Prokuroria Themelore në Prizren,  Departamenti për Krime të Rënda ka dhënë detaje lidhur me rastin e rëndë që ka ndodhur më 26 gusht në Prizren.

Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnatës dhe po hetohet si vrasje e rëndë brenda familjes.

Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, ekipet e krim-teknikës dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari B.D., 81-vjeçar, dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, pasi paraprakisht dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

Prokuroria ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur brenda familjes.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka njoftuar se do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht motivin dhe rrethanat e ngjarjes së rëndë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kremlini ka konfirmuar se drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ka…