Grabiti të moshuarit dhe pësoi infarkt. Vdes “Mika”, hajduti më i famshëm i Venecias
Fillimisht, grabiti një çift të moshuarish në zonën e Campo dei Frari në Venecia, duke u vjedhur, ndër të tjera, edhe ilaçet jetike njërit prej tyre. Më pas, rreth gjysmë ore pas arratisjes, u rrëzua përtokë përballë Pallatit Cosulich, pasi pësoi një infarkt që i mori jetën. Kështu vdiq Mika, një prej hajdutëve të xhepave më të famshëm në Venecia.
Gjithçka ndodhi mesditën e së mërkurës. Disa qytetarë të Venecias e kishin parë “Mikën” së bashku me disa bashkëpunëtorë të tij, ndërsa po ndiqnin një çift të moshuarish në zonën e Campo dei Frari.
Duke përfituar nga një moment shpërqendrimi i viktimave, hajdutët arritën t’u merrnin portofolin, i cili ndodhej brenda çantës së shpinës së çiftit. Bashkë me portofolin, ata morën edhe disa ilaçe të njërit prej të moshuarve.
Pasi kryen vjedhjen, hajdutët u larguan me shpejtësi nga zona. Por rreth gjysmë ore më vonë, disa kalimtarë raportuan se kishin parë “Mikën” të rrëzohej papritur në tokë, pasi ishte ndier keq.
Ekipet mjekësore mbërritën shpejt në vendngjarje dhe tentuan ta rikthenin në jetë. Megjithatë, të gjitha përpjekjet rezultuan të pasuksesshme.
47-vjeçari me origjinë rumune, emri i vërtetë i të cilit ishte Sorin Postolache, ishte një personazh i njohur për forcat e rendit në Venecia për vjedhje portofolash.



