ILMI RAMADANI, YLL I SHQIPTARISË!

26 gusht 2026 | 14:24

Arratisja drejt pavdekësisë

Në pasditen e vonë të 27 gushtit 2025, më erdhi një mesazh se Ilmi Ramadani paska ndërruar jetë. I zënë në befasi dhe duke mos dashur ta besoja, aq më parë që me Ilmiun isha takuar vetëm disa ditë më parë, në mungesë të një informacioni zyrtar thirra disa nga shokët e tij, me të cilët kishte vepruar bashkë: ish-të burgosur politikë dhe luftëtarë të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare të Kosovës, që rrugëtonin bashkë me Ilmiun në rrugën e lavdisë, në shërbim të Kombit dhe Atdheut, për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar.

Fazli Avdullahu e konfirmoi lajmin, sikur edhe Nuhi Ahmeti dhe Avdullah Dërguti. Elmi Reçica u lajmërua disa minuta më vonë, pasi ndodhej te familja e Ilmi Ramadanit, dhe më tregoi se Ilmiu kishte pësuar arrest kardiak. Çfarë ironi e fatit! Njeriu që mbijetoi torturat çnjerëzore të UDB-së dhe vuajtjet shumëvjeçare të burgut të rëndë në llogoret e ish-Jugosllavisë, që mbijetoi ofensivat e shumta të forcave jugosllave dhe serbe në luftën e fundit, iku nga kjo botë e rreme, duke kaluar në amshim, shkaku i vetëm një sulmi që, me një kontroll mjekësor të bërë nga një mjek me integritet profesional, do të mund të tejkalohej. Po ky duket të jetë fati i ish-të burgosurve politikë, të lënë në mëshirën e grykësve dhe grabitqarëve me mendësi jugosllave dhe vendosmëri antikombëtare. Pjellë jugosllave e veshur me xhubletë shqiptare!

Dimensioni njerëzor, kombëtar, politik dhe moral i Ilmi Ramadanit

Ilmiu ka qenë njeri i urtë me shokët dhe miqtë, ndërsa i ashpër dhe i pakompromis me të këqijtë dhe armiqtë. I qetë si flladi i mbrëmjes për të mirët, përvëlues si zjarri i ferrit për antikombëtarët dhe tradhtarët. Sikurse te të gjithë idealistët, Atdheu dhe Kombi ishin Ajri dhe Jeta për Ilmiun. Shqipëria ishte Mendja, Shpirti dhe vetë Ekzistenca, kuptimi i jetës!

Mësuesi, frymëzuesi dhe udhërrëfyesi politik, që nga fillimi i veprimtarisë kombëtare dhe politike e deri në kohën kur kaloi në amshim, ishte Bacë Adem Demaçi. Ky ishte kapitalizimi i aktivitetit kombëtar dhe politik të Ilmi Ramadanit! Në aspektin moral, Ilmiu ishte i pathyeshëm, sikurse gjatë hetimeve dhe torturave çnjerëzore, vuajtjes së dënimit dhe luftës çlirimtare. Brutalitetit të dhunës policore i përgjigjej me qëndrim stoik dhe me rritje të vendosmërisë për të shkuar deri në fund të Rrugës së Nderit, pavarësisht çmimit që e pagoi ai dhe ne që patëm mundësinë dhe nderin të ishim me të në kushte lufte dhe paqeje!

Vlerësimi dhe përkushtimi i Ilmiut për shokët

Rexhep Malën e kishte si vëlla, gjatë aktivitetit, por edhe pas rënies heroike të Heroit të Kombit, Rexhep Malaj.

Gjatë qëndrimit në burgjet e Foçës dhe Mostarit, në vitet 1981–1983, bashkë me Skender Kastratin dhe Agim Sylejmanin, isha në një dhomë me Rexhepin. Rexha rrallëherë e kalonte ditën pa e përmendur Ilmi Ramadanin. Aty, për herë të parë, kam dëgjuar për Ilmiun, duke e profilizuar portretin e tij njerëzor, kombëtar dhe politik, ende pa e takuar fizikisht.

Pas daljes nga burgu, shumë herë, bashkë me bacën Adem, Nuhi Ahmetin, Avdullah Dërgutin dhe Shashivar Makollin, kemi vizituar familjen e Rexhep Malës dhe gjithmonë me ne ka qenë edhe Ilmi Ramadani. Mehmet Mala, një kolos i Kombit dhe Atdheut, Ilmiun e trajtonte si Rexhepin, ndonëse Rexha kishte fituar përjetësinë, ndërsa Hasan Malaj, djali i madh, apo Rrënja e Madhe e Shqiptarisë, ishte në emigrim.

Deri në vitin kur iku në amshim, Ilmi Ramadani, së bashku me Ilmi Reçicën, Nuhi Ahmetin, Avdullah Dërgutin, Fazli dhe Selajdin Avdullahun, mua dhe shokë të tjerë, bënim homazhe te Varrezat e Dëshmorëve dhe vizitonim familjen e Rexhep Malës. Ilmi Ramadani iku me mallin që nuk u realizua ngritja e përmendoreve të dy komandantëve të papërsëritshëm të Shqiptarisë në Prishtinë: Komandantit Politik, Bacë Adem Demaçit, dhe Komandantit Ushtarak, legjendarit Adem Jashari.

Ilmi Ramadani iku nga kjo botë edhe me mallin për themeluesit e UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, bashkë me bashkëluftëtarët që janë dënuar apo po mbahen peng nga Gjykata Speciale Raciste në Hagë. Në çdo vend ku shqiptarët e lëshuan kushtrimin dhe luftuan për liri, aty ishte edhe Ilmi Ramadani: në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës, Mal të Zi dhe Shqipëri.

Ilmi Ramadani po na mungon shumë, sikurse edhe shokët që kanë rënë për Liri dhe Bashkim Kombëtar. Po jetojmë me kujtime. Kujtimet i kemi frymëzim! Krenarë deri në vdekje për Ilmi Ramadanin, deri të bëhemi bashkë, si bashkëshoqërues edhe në amshim.

Nëse e meritojmë! Fexhrie Shala, Elmi Reçica, Avdullah Dërguti, Nuhi Ahmeti dhe Behxhet Sh. Shala

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

27 gusht 2026, Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Crvena Zvezda është ndëshkuar me një total prej 99 500…