Izraeli dëbon përfaqësuesit holandezë nga Gaza

26 gusht 2026 | 13:18

Izraeli të martën ka dëbuar përfaqësuesit holandezë nga një qendër koordinimi në Gaza, pas vendimit të Holandës për të ndaluar importet nga vendbanimet e paligjshme izraelite në territoret e pushtuara, ka deklaruar ministri i Jashtëm izraelit.

“Përfaqësuesit e Holandës do të përjashtohen menjëherë nga Qendra Ndërkombëtare e Mbështetjes për Gazën në Kiryat Gat”, ka deklaruar Gideon Saar në një postim në platformën amerikane të mediave sociale “X”.

Saar ka thënë se vendimi është marrë me kërkesë të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, pas asaj që ai e ka përshkruar si “një sërë masash anti-Izrael të ndërmarra nga qeveria holandeze”.

Ai ka thënë se masa e fundit ishte “miratimi i një ligji që ndalon tregtinë e produkteve izraelite nga Judeja dhe Samaria (Bregu Perëndimor), Jerusalemi Lindor dhe Lartësitë e Golanit, i cili do të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm”.

Qendra e komandës e udhëhequr nga ShBA-ja në Kiryat Gat, e njohur zyrtarisht si Qendra e Koordinimit Civilo-Ushtarak, është krijuar nga Komanda Qendrore e ShBA-së për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza dhe për të monitoruar zbatimin e planit të paqes të ShBA-së.

Saar ka deklaruar se Ambasada Holandeze në Izrael dhe “miqtë tanë amerikanë” janë njoftuar për vendimin të martën në mbrëmje.

“Përfaqësuesit holandezë janë udhëzuar të largohen nga Izraeli brenda një jave”, ka shtuar ai.

Autoritetet holandeze nuk e kanë komentuar menjëherë vendimin.

Qeveria holandeze ka vendosur në fund të korrikut 2026 të ndalojë importin, blerjen dhe shitjen e produkteve me origjinë nga vendbanimet e paligjshme izraelite në territoret e pushtuara palestineze, me masën që do të hyjë në fuqi më 22 shtator 2026.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shahin Hafizallari shpall te pavlefshme dëftesat dhe diplomën e shkollës…