William Walker propozon Faton Bislimin për president të Kosovës
Ish-ambasadori amerikan, William G. Walker, ka propozuar Faton Bislimin, lobuesin për çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në SHBA, si kandidat për president të Kosovës.
Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, përmes një letre dërguar kryetarit të LV-së, Albin Kurti, kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur shqetësimin e tij për krizën politike lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri.
Në letrën që ka siguruar “Kosovapress”, Walker e konsideron person adekuat për postin e presidentit Faton Bislimin, i cili ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës.
“Kam dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm. Të gjithë ia vlen të merren në konsideratë, por, sipas gjykimit tim, asnjëri prej tyre nuk i zotëron të gjitha aftësitë e nevojshme, përvojën dhe personalitetin që kërkon ky post. Më lejoni të sugjeroj një zgjedhje të mundshme. E njoh Faton ‘Tony’ Bislimin prej shumë vitesh. Kemi diskutuar shpesh për politikën e Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe për vendin e këtij shteti të ri në Evropë dhe në botë. Nuk kam asnjë dyshim për pavarësinë e mendimit të Tonit dhe për aftësinë e tij për të shprehur qëndrimin e tij mbi çdo temë. Sipas mendimit tim, i vetmi ndër emrat e mundshëm, Toni i zotëron të gjitha aftësitë e nevojshme – si dhe personalitetin që u përshtatet atyre – për të qenë një president i suksesshëm. Më lejoni të rendis aftësitë që i konsideroj thelbësore për një presidencë të suksesshme”, është thënë në letrën e tij.
Walker ka theksuar veçanërisht se Kosova ka nevojë për një president që përfaqëson vendin në tërësi, e jo një parti apo një qëndrim të caktuar politik.



