Përparim Rama kritikon pajisjen me shtetësi të Boiken Abazit: “Cili është misioni i tij?!”
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me pajisjen me shtetësi të Kosovës të aktivistit politik Boiken Abazi.
Rama, përmes një postimi, ka ngritur pikëpyetje për vendimin, duke rikujtuar se Abazi ishte dëbuar nga Kosova në vitin 2016, pasi, sipas tij, ishte konsideruar rrezik për “sigurinë kombëtare”.
Ai ka pretenduar gjithashtu se Abazi ishte evidentuar nga organet e Kosovës për vepra të tilla si “sulm ndaj personit zyrtar”, “prishje të rendit publik” dhe “asgjësim apo dëmtim të pasurisë”.
“URIME, KOSOVË!”, ka shkruar Rama në fillim të reagimit të tij.
Kryetari i Prishtinës ka kritikuar në mënyrë ironike faktin që, sipas tij, një person që kishte kundërshtuar shtetësinë e Kosovës dhe ishte përplasur me institucionet e saj, tashmë është pajisur me shtetësi kosovare.
“Ligjërisht, si e pajis një deputete dikë me shtetësi?”, ka pyetur Rama.
Ai ka ngritur edhe çështje morale lidhur me këtë vendim, duke pyetur se pse duhet ta marrë shtetësinë e Kosovës dikush që, sipas tij, “ka rrezikuar sigurinë e atij shteti”.
“Cili është misioni i tij?!”, ka përfunduar Rama.



