Përparim Rama nënshkruan nismën për drejtësi dhe pafajësi për krerët e UÇK-së, fton qytetarët në marshin e 12 shtatorit

28 gusht 2026 | 16:08

Në kuadër të iniciativave në përkrahje të fushatës për drejtësi dhe pafajësi për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë, kryeqyteti ka ndarë një hapësirë publike pranë objektit të “Reporting House”, ku qytetarët e Prishtinës mund të shprehin mbështetjen e tyre.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me ekipin e Komunës së Prishtinës dhe përfaqësues të platformës “Liria ka Emër”, iu bashkua simbolikisht kësaj iniciative.

Rama ka nënshkruar në hapësirën publike pranë “Reporting House”, duke shprehur përkrahjen e tij për iniciativën dhe duke bërë thirrje që qytetarët t’i bashkohen nismës.

“Unë si kryetar i kryeqytetit, por edhe si prishtinali, nënshkrova që në emër të qytetarëve të Prishtinës i shpallim të pafajshëm heronjtë tanë. Jemi këtu për me mbrojtur vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të jemi përherë, sa herë që cenohen ose ka tentim cenimi, që t’i mbrojmë vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ta mbrojmë të kaluarën tonë të dinjitetshme”, është shprehur Rama.

Ai ka vlerësuar se mbrojtja e së kaluarës dhe historisë së Kosovës është njëkohësisht mbrojtje e së ardhmes së vendit.

“Duke mbrojtur të kaluarën, duke mbrojtur historinë, duke i mbrojtur vlerat, e mbrojmë edhe të ardhmen e vendit tonë e kombit tonë”, ka shtuar kryetari i Prishtinës.

Rama ka ftuar qytetarët e të gjitha komunave të Kosovës që t’i bashkohen nismës dhe të nënshkruajnë në qendër të Prishtinës.

“Bashkohuni, ejani, nënshkruani edhe të bëhemi pjesë e historisë edhe t’i tregojmë botës që ne jemi këtu për t’i mbrojtur vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ta mbrojtur luftën e drejtë të kombit tonë, të heronjve tanë”, ka apeluar Rama.

I pyetur nëse do të marrë pjesë në marshin e 12 shtatorit dhe nëse duhet të jetë pjesë e tij edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, Rama është përgjigjur se në këtë aktivitet duhet të marrin pjesë të gjithë.

“Patjetër që po. Të gjithë duhet të marrim pjesë. Po them, aty është një marsh që është për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra për mbrojtjen e historisë tonë, për mbrojtjen e të drejtave, të luftës së drejtë të heronjve tanë”, ka deklaruar ai.

Rama ka bërë thirrje që në marsh të marrin pjesë kryeministri, presidenti dhe qytetarët e Kosovës, duke shprehur shpresën për lirimin e krerëve të UÇK-së.

“Për këtë arsye edhe ftoj të gjithë, pa marrë parasysh, prej kryeministrit, presidentit e të gjithë qytetarët e këtij vendi e më tej, më gjerë, që të vijnë edhe të na bashkohen më 12 shtator në mbrojtje të këtyre vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftës së drejtë që e kanë bërë heronjtë tanë”, është shprehur Rama.

Ndërkohë, nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, e ka cilësuar aksionin si një aktivitet simbolik për të shprehur mbështetjen e kryeqytetit ndaj krerëve të UÇK-së.

“Sot më vjen mirë që në emër të kryeqytetit jemi mbledhur këtu bashkë edhe në emër të të gjithë qytetarëve të Prishtinës për shpalljen të pafajshëm çlirimtarët tanë që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, është shprehur Musmurati.

Ajo ka nënvizuar se nisma përcjell mesazhin se Prishtina dhe Kosova janë në pritje të rikthimit të krerëve të UÇK-së.

“Është një aksion simbolik që thotë edhe që flet që Prishtina po pret dhe Kosova po pret”, ka theksuar Musmurati.

Musmurati ka ftuar qytetarët që më 12 shtator t’i bashkohen marshit për lirinë dhe rikthimin e krerëve të UÇK-së.

“Marshi do të mbahet nga ora 14:00 në sheshin ‘Skënderbeu’ dhe i ftoj që të gjithë të marrim pjesë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe mbetet si një ndër themelet e lirisë tonë të cilën e gëzojmë sot”, ka deklaruar ajo.

Edhe përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, ka bërë apel për pjesëmarrje sa më të gjerë në marsh.

Hoxha ka vlerësuar se Prishtina, si kryeqytet i Kosovës, ka një rol të veçantë në mobilizimin e qytetarëve dhe në përcjelljen e mesazhit të mbështetjes.

“Prishtina si kryeqendër normalisht është adresa kryesore edhe për nxitjen, edhe reagimin, edhe shembulltyrë edhe për pritjen, sepse ne i presim të gjithë qytetarët e Kosovës që të na bashkohen si përherë në marshin për liri që e kemi më 12 shtator”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka ftuar qytetarët të bashkohen pa dallim moshe, gjinie, përkatësie politike, kulturore apo fetare.

“Ne të bëhemi bashkë pa dallim gjeografie, gjinie, moshe e ngjyrimi politik ose kulturor ose religjioz dhe të qëndrojmë aty për të treguar një gjë të vetme që është e qartë dhe që nuk ndryshon asnjëherë, e ajo është që çlirimtari mbetet çlirimtar”, është shprehur Hoxha.

Nisma synon të mobilizojë mbështetjen publike dhe solidaritetin me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Marshi për mbështetjen e tyre është paralajmëruar të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka komentuar praninë e përfaqësuesve…