Shtetet e Baltikut përgatiten për kërcënimin nga Rusia

28 gusht 2026 | 16:22

Një letër të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë (REL) tregon shqetësimin në rritje lidhur me agresionin rus në shtetet e Baltikut, dhe aty përmendet një “mjedis i përkeqësuar i sigurisë” mes “rritjes së shpeshtësisë së shkeljeve të hapësirës ajrore dhe inkursioneve me dronë”.

Letra iu dërgua presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe u nënshkrua nga tre komisionarët evropianë nga vendet baltike, Kaja Kallas, Andrius Kubilius dhe Valdis Dombrovskis, si dhe nga komisionarët e Polonisë dhe Finlandës.

Letra, që mban datën e 30 korrikut, ishte një nga një seri të zileve të alarmit për agresionin rus gjatë verës, të cilat kulmuan me vizitën e befasishme në Moskë të drejtorit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), John Ratcliffe, më 25 gusht.

Ratcliffe udhëtoi me aeroplan drejt Moskës për t’i bërë thirrje Kremlinit që të mos e përshkallëzojë situatën me aleatët e SHBA-së – veçanërisht Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë – konfirmuan më 26 gusht për REL-in burime që janë të informuara për këtë vizitë.

Kjo vjen pas një raportimi të The Wall Street Journal më 6 gusht, që citoi të dhëna të inteligjencës amerikane që thoshin se Rusia mund ta testojë vendosmërinë e NATO-s me një inkursion të kufizuar që në vjeshtën e këtij viti.

Diplomatët baltikë që folën për REL-in në kushte anonimiteti konfirmuan se gjatë verës kishte të dhëna shtesë për operacione ruse të kamofluara, por nuk kishte asnjë tregues për një sulm të menjëhershëm konvencional.

Ata gjithashtu theksuan se operacione të tilla mund të mos kufizohen vetëm në vendet baltike, një shqetësim i përforcuar nga rastet e fundit të përfshirjes së dyshuar ose të supozuar ruse në përpjekje për atentate, zjarre dhe inkursione me dronë në disa vende të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Poloninë dhe Sllovakinë.

Sa të përgatitura janë vendet baltike?

Në pamje të parë, tri shtetet baltike – Letonia, Lituania dhe Estonia – duket se janë të pozicionuara në mënyrë ideale për t’iu kundërvënë çdo lloj sulmi rus.

Ato kanë paralajmëruar që një kohë të gjatë dhe janë përgatitur për forma të ndryshme të veprimtarisë malinje ruse. Të tria kanë arritur ose së shpejti do të arrijnë objektivin e NATO-s për vitin 2035, që është shpenzimi i 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen. Përveç kësaj, BE-ja ka premtuar dhe ka nisur të kanalizojë rreth 14 miliardë dollarë në kredi për investime në mbrojtje dhe siguri në rajon.

Dhe, përveç përgatitjeve për mbrojtje konvencionale, ato po ashtu kanë përparuar sa i përket teknologjisë më të avancuar – veçanërisht Estonia.

Për shembull DefSecIntel Solutions, një kompani estoneze, softueri i së cilës me inteligjencë artificiale analizon imazhe të kapura dhe i paraqet të gjitha informacionet në një ekran të vetëm.

“Vendosëm të qëndrojmë përkrah kolegëve tanë ukrainas. Që nga vjeshta e vitit 2022, kemi qenë në vijën e parë me ta. Dhe, teknologjitë tona po përdoren atje. Kjo sigurisht që na ka dhënë një shtysë të madhe”, tha për Current Time Jaan Hein, nënkryetar i kompanisë. Ai tha se produkti i kompanisë po përdoret për të mbrojtur kufijtë e Estonisë, si dhe të dhjetëra vendeve të tjera.

Ose merrni si shembull start-up-in estonez Wayren, i cili ka zhvilluar softuer të instaluar në telefona inteligjentë, tableta dhe pajisje të tjera në fushëbetejë, për të mbrojtur shkëmbimin e të dhënave nga ndërhyrjet e jashtme.

“Estonia është unike në disa aspekte: si një vend i vogël me një industri relativisht të vogël, ne jemi të specializuar në teknologjitë më të avancuara. Jo aq shumë në platforma të mëdha si tanket apo anijet, siç bëjnë vendet më të mëdha, por në zgjidhje inteligjente dhe novatore që mund të integrohen në sisteme të tilla, duke fituar kështu një avantazh”, tha për Current Time bashkëthemeluesi i kompanisë, Henri Harm.

Por, po të shikohet më nga afër, fillojnë të shfaqen çarje.

Negociatat për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së kanë nisur me një propozim të Komisionit Evropian për një fond prej 145 miliardë dollarësh për investime në siguri dhe mbrojtje. Por, disa vende që kontribuojnë më shumë në buxhet sesa marrin prej tij, përfshirë Gjermaninë, shtetin më të madh në mesin e këtij grupi, kanë bërë të qartë se duan që në të ardhmen buxheti i BE-së të jetë më i vogël.

Shumë zyrtarë të BE-së druhen se mbrojtja mund të jetë një nga fushat që do të shkurtohen në buxhetin e ri dhe kjo frikë është e dukshme në letrën që e ka parë REL-i.

Disa nga propozimet e përfshira në letër janë simbolike, si kërkesa që i gjithë Komisioni Evropian të vizitojë “urgjentisht” një nga vendet e vijës së frontit këtë vjeshtë, “pasi të gjithë e shohim përshkallëzimin e kërcënimeve ndaj shteteve baltike”.

Kurthe për tanke në vend të “murit kundër dronëve”

Kërkesa kryesore, megjithatë, është për financim të mëtejshëm, me letrën që kërkon rreth 115 miliardë dollarë për të forcuar mjedisin e biznesit dhe investimeve në shtetet e vijës së frontit.

Duke iu referuar rritjes së aktivitetit me dronë dhe aktiviteteve të tjera nga Rusia, në letër thuhet se “këto incidente tashmë po ndikojnë negativisht në mjedisin e biznesit në rajon dhe në besimin e publikut te siguria. Për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm dhe për të forcuar parandalimin, kërkohet veprim konkret dhe në kohë”.

Ndër masat e përshkruara janë “kapaciteti i reagimit të shpejtë ndaj ndërprerjeve të furnizimit me energji dhe ndaj infrastrukturës kritike të energjisë elektrike dhe gazit, krijimi i rezervave rajonale të mallrave esenciale dhe pajisjeve për mbrojtjen civile, strehimoreve dhe infrastrukturës së evakuimit, si dhe gatishmëria për t’iu përgjigjur kërcënimeve hibride, kibernetike, të sabotimit, elektronike dhe informative”.

Ajo që mungon dukshëm në tekst – dhe në shumicën e komunikimeve të fundit të BE-së – është “muri kundër dronëve”, një projekt i propozuar që u diskutua gjerësisht vitin e kaluar dhe që BE-ja e konsideronte për financim. Ideja ishte pajisja e të gjithë krahut lindor të BE-së me sensorë dhe kapacitete për zbulimin dhe rrëzimin e dronëve armiqësorë.

Por, nuk ka ndodhur shumë në këtë drejtim. Siç i tha një zyrtar baltik REL-it: “Është më e lehtë të flasësh për murin kundër dronëve sesa ta ndërtosh atë. Por le të jemi të sinqertë, askush nuk e ka ende këtë mur, madje as ukrainasit”.

Problemet janë financiare, teknike dhe ligjore. Nuk ka qartësi se kush duhet të paguajë për një sistem kaq të kushtueshëm, komponentët kryesorë, përfshirë sensorët, radarët dhe një sistem efektiv komandimi dhe kontrolli, ende nuk janë zhvilluar plotësisht, dhe vazhdon debati nëse i gjithë sistemi duhet të jetë plotësisht i automatizuar apo të mbikëqyret nga njerëzit.

Pastaj është Rail Baltica, një tjetër projekt i financuar nga BE-ja që nuk po shkon sipas planit.

I nisur në vitin 2015, projekti synonte të lidhte shtetet baltike, rrjetet hekurudhore të të cilave ende përdorin kryesisht shinat e epokës sovjetike, me Poloninë dhe pjesën tjetër të BE-së. Nga synimi fillestar për hapjen e linjës këtë vit është hequr dorë prej kohësh, ndërsa objektivi i rishikuar për vitin 2030 është gjithashtu në dyshim, për shkak të rritjes së kostove, planifikimit fillestar që ka mangësi, ndryshimeve të vazhdueshme të projektit dhe mosmarrëveshjeve brenda dhe ndërmjet vendeve.

Linja hekurudhore konsiderohet thelbësore, pasi do të krijonte një korridor kyç strategjik për lëvizjen ushtarake, duke maksimizuar numrin e trupave dhe armëve të NATO-s të nevojshme për mbrojtjen e rajonit dhe duke neutralizuar të ashtuquajturin Hendeku i Suvalkit – një korridor i ngushtë tokësor që lidh Poloninë me Lituaninë, që gjendet mes Bjellorusisë, aleates së Moskës, dhe enklavës ruse të Kaliningradit. Shumica e planifikuesve ushtarakë besojnë se Moska do ta shënjestronte këtë hendek nëse do të sulmonte NATO-n.

Ndërkohë – dhe kryesisht për të kompensuar këtë cenueshmëri – Lituania miratoi këtë vit një ligj për ndërtimin e një poligoni të trajnimit ushtarak në këtë korridor dhe tashmë ka nisur puna përgatitore pranë fshatit Kapciamiestis, ku deri në 4.000 trupa të Lituanisë dhe aleatë nga vende të tjera të NATO-s do të mund të stërviten.

Kjo pritet të plotësojë Brigadën e 45-të të Blinduar të Gjermanisë, e cila po dislokohet në veri të hendekut, dhe një batalion shumëkombësh të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja, i stacionuar në jug të tij, në Poloni.

Kufijtë e Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë me Bjellorusinë po forcohen gjithashtu me gardhe dhe hendeqe, për të penguar inkursionet e mundshme ushtarake, si dhe përpjekjet e migrantëve për të kaluar kufirin, për të cilat të tria vendet akuzojnë Bjellorusinë dhe Rusinë se i kanë lehtësuar kalimet e paligjshme vazhdimisht që nga viti 2021.

Megjithatë, disa pyesin nëse kjo do të mjaftojë, përfshirë ish-komandantin e Forcave të Armatosura të Lituanisë, Valdas Tutkus.

“Po blejmë një mijë kamionë. Po ndërtojmë një linjë mbrojtëse, edhe pse jemi shumë të vetëdijshëm se lufta moderne nuk do të zhvillohet me tanke”, tha ai për Current Time.

“Sa i përket Kapciamiestisit, nëse Ministria e Mbrojtjes do ta kishte shpjeguar mjaftueshëm qartë, do të mund ta diskutonim këtë çështje. Por, fatkeqësisht, për momentin, gjithçka që kam dëgjuar është: ‘Më besoni, na nevojitet’”, tha ai. “Fatkeqësisht, nuk kam dëgjuar asnjë argument”. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka nisur monitorimin në…