Jonida Vokshi largohet nga Big Brother Vip Kosova
Pas katër edicionesh radhazi në drejtimin e Big Brother VIP Kosova, Jonida Vokshi ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e sezonit të pestë të reality show.
Moderatorja e ka bërë të ditur vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, duke treguar se këtë herë spektaklin do ta ndjekë nga ana tjetër e ekranit.
“Jo, këtë herë nuk do të jem në Big Brother VIP Kosova. Pas katër edicionesh, kjo është hera e parë që do ta shoh atë nga ana tjetër e ekranit”, ka shkruar Vokshi.
Jonida ka treguar se katër vitet me formatin kanë përkuar me një periudhë shumë intensive të jetës së saj, gjatë së cilës ka përjetuar momente të rëndësishme si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal.
“Big Brother më ka shoqëruar në katër nga vitet më intensive të jetës sime. Më ka gjetur shtatzënë, më ka gjetur mes dhimbjes së humbjes së babit tim, më ka dhënë emocionet më të bukura, më të forta. Më ka parë të rritem e të ndryshoj”, është shprehur ajo.
Arsyeja kryesore pas vendimit duket të jetë dëshira për t’i kushtuar më shumë kohë familjes dhe dy fëmijëve të saj. Moderatorja pranon se ritmi i viteve të fundit ka qenë i ngarkuar dhe tashmë ndien nevojën për një pauzë.
“Ndjej që kam nevojë të ngadalësoj pak ritmin, për t’u dhënë më shumë praninë time atyre ku dy zëra më thërrasin mami. Ata po rriten dhe unë jam gjithmonë duke vrapuar”, ka shkruar Vokshi.
Megjithatë, ajo ka sqaruar se ky vendim nuk nënkupton një largim përfundimtar nga ekrani. Përkundrazi, Jonida paralajmëron se mund të jetë koha për t’u rikthyer te projekte të tjera që prej kohësh i ka pasur në mendje.
“Një kapitull që nuk po e mbyll me pikë. Thjesht po vendos një presje”, ka përfunduar ajo, duke i uruar suksese Alaudin Hamitit dhe Olsa Muhametit në edicionin e ri.
Vokshi ka qenë bashkëprezantuese e Big Brother VIP Kosova që nga edicioni i parë, i nisur në vitin 2022, përkrah Alaudin Hamitit.
Edicioni i pestë i Big Brother VIP Kosova pritet të nisë në tetor, tashmë për herë të parë pa Jonida Vokshin në rolin e prezantueses.



