Ramadani: Ne po flasim për shtetin, ata për pushtetin – VV-ja po e bllokon Kuvendin

30 gusht 2026 | 12:20

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Vetëvendosjen për, siç ka thënë, bllokimin e institucioneve të Kosovës dhe Kuvendit.

Ramadani, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka thënë se deputetët e VV-së po shfrytëzojnë përfitimet e pushtetit, ndërsa opozita, sipas tij, është e shqetësuar për gjendjen e shtetit.

“Ne po flasim për shtetin. Ata për pushtetin. Ne po flasim për jetën e qytetarëve. Ata veç për poste”, ka shkruar Ramadani.

Ai ka akuzuar deputetët e VV-së se po e përdorin shumicën parlamentare për të bllokuar institucionet, duke thënë se “të jesh ndryshe nuk është të bllokosh institucionet”.

Ramadani ka kritikuar gjithashtu takimet e fundit politike, duke pretenduar se në to diskutohet kryesisht për ndarjen e posteve.

Postimi i plotë i tij:

Edhe sot, sikur në secilën ditë, ne po e konstatojmë bllokadën e re të shtetit.
Ata më as nuk po e fshehin që janë bllokuesit. As nuk po tentojnë të arsyetohen.

Ne jemi këtu në sallë të Kuvendit, ata nuk janë. Një pjesë deputetëve të VV-së janë në bregdet, një pjesë po merren me biznes, një pjesë po rrinë në kolltuqet qeveritare, një pjesë rrinë mbyllur se nuk guxojnë as të dalin në rrugë nga pyetjet e qytetarëve.
Ne jemi të shqetësuar për gjendjen e shtetit, ata po shfrytëzojnë përfitimet e pushtetit.

Kjo që po ndodh në Kosovë, për ne nuk është betejë partiake.
Kjo nuk është as kërkesë dhe as synim partiak.
Kjo që po bëjmë ne nuk është betejë as për partinë, as për individin, as për qeverinë.

Ne po flasim për shtetin. Ata për pushtetin.
Ne po flasim për jetën e qytetarëve. Ata veç për poste.

Ka një dallim në thelb mes nesh e atyre.
Ne po e pranojmë vullnetin e votuesit. Ata po sakatojnë shpresën e popullit.

Për vite kemi dëgjuar nga VV-ja se janë ndryshe. Por, po e dëshmojnë se të qenit ndryshe doli të jenë për të mbrapshti.
Sepse të jesh ndryshe nuk është të bllokosh institucionet.
Të jesh ndryshe nuk është të fajësosh gjithmonë dikë tjetër.
Të jesh ndryshe nuk është ta përdorësh shumicën si instrument për ta bllokuar shtetin.

Të jesh ndryshe është të punosh më shumë e më mirë se të tjerët.

Tek e fundit, qytetari nuk pyet kush e fitoi një përplasje partiake. Nuk pyet kush bërtiti më fort.

Qytetari pyet:
• A po punon shteti?

Dhe sot, pas gjithë kësaj bllokade, pyetja që i bëhet VV-së është e thjeshtë:

• Për kë po e bllokoni Kuvendin edhe shtetin? Për popullin JO, për pushtetin PO!

Edhe kur po takohen natën, sikurse mbrëmë, nuk e thonë asnjë fjalë të vetme se çka do të përfitojë populli prej këtyre takimeve. Krejt çka flasin është për poste.
• Kush-çfarë posti po merr!
• Kush-kujt po i propozon një emër për një post.

Sidoqoftë, jashtë mureve të Kuvendit është një realitet tjetër.

Qytetarët kanë pasiguri të madhe. Kjo pasiguri nuk zgjidhet me bllokadë.
Pasiguri në rrugë, pasiguri në shkollë, pasiguri në shtet, pasiguri në treg.

Sot tregu i Kosovës është i pushtuar nga Serbia. Kurrë më shumë Serbia nuk ka shitur mallra në Kosovë!
Qeveria e Vetëvendosjes po blen mallra në Serbi!

• Edhe barnat Qeveria e Vetëvendosjes po i blen në Serbi.
• Edhe vagonët e trenit po i dërgon në Serbi me para të popullit.
• Edhe gurë e zall po blihet në Serbi.
• Edhe zogjtë e pulave po blihen në Serbi.

Të gjitha këto janë pasiguri e thellë për qytetarët.

• A mendoni se barnat që i blen Qeveria e Vetëvendosjes në Serbi janë barna të sigurta?

Përfundimisht, kjo betejë politike do të zgjas. Do të zgjas deri në fitoren e të mirës kundër këtyre bllokuesve që po rrinë në pushtet.

Ne jemi këtu dhe këtu do të mbetemi.
Dhe, do të triumfojmë!

#Aleanca

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri në detyrë i Punëve të…