Ramosaj dhe Haradinaj në nisjen e punimeve për Memorialin te Trekufi

31 gusht 2026 | 10:40

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka bërë të ditur se kanë nisur punimet për ndërtimin e Memorialit në Bjeshkën e Belegut, i cili do të përjetësojë kujtimin për më shumë se 20 të rënët te Trekufi.

Ramosaj ka thënë se në nisjen e punimeve ishte i pranishëm së bashku me Komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinajn, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë.

“Së bashku me Komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, z. Ramush Haradinaj, bashkëluftëtarë dhe shumë qytetarë, nisëm punimet për ndërtimin e Memorialit që do të përjetësojë kujtimin dhe sakrificën e më shumë se 20 të rënëve te Trekufi”, ka shkruar Ramosaj.

Ai ka theksuar se memoriali do të shërbejë si kujtesë e përhershme për të rënët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

“Në këtë vend, mes maleve tona, do të qëndrojë përgjithmonë kujtesa për bijtë më të mirë të këtij kombi, të cilët nuk kursyen as jetën për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar Ramosaj.

Në fund, kryetari i Deçanit ka shprehur nderimin e tij për dëshmorët e kombit.
“Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka përkujtuar dje Heroin e…