ZKA: Sistemi arsimor nuk siguron ende mbështetje të barabartë dhe të qëndrueshme për nxënësit me nevoja të veçanta
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Mbështetja e Nxënësve me Nevoja të Veçanta në Shkollat Fillore dhe të Mesme të Ulëta në Kosovë” për periudhën 2022-202, me fokus në funksionimin e mekanizmave për identifikimin, vlerësimin dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore. Subjekt i këtij auditimi kanë qenë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) në Komunën e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicë, si dhe 10 shkolla publike.
Rezultatet e auditimit tregojnë se sistemi arsimor nuk siguron ende mbështetje të barabartë, të qëndrueshme dhe të bazuar në nevojat reale të nxënësve. Ekipet vlerësuese komunale nuk kanë funksionuar në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa kapacitetet profesionale dhe mbështetëse në shkolla, përfshirë asistentët, mësuesit mbështetës, psikologët dhe pedagogët nuk janë të mjaftueshme dhe shpërndarja e tyre nuk mbështetet në analiza të dokumentuara të nevojave.
Po ashtu auditimi ka evidentuar mangësi në monitorimin dhe koordinimin institucional. Të dhënat për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA) kanë shfaqur mospërputhje me gjendjen e evidentuar në terren, ndërsa në disa raste mungesa e mbështetjes institucionale është kompensuar nga prindërit përmes angazhimit të asistentëve privatë.
Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se arsimi gjithëpërfshirës nuk nënkupton vetëm përfshirjen e nxënësve në shkollë, por sigurimin e mbështetjes së duhur që u mundëson atyre të zhvillojnë potencialin dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në procesin mësimor. Znj. Spanca tha se rezultatet e auditimit tregojnë se nevojitet një qasje më e koordinuar dhe e bazuar në nevojat reale të nxënësve në mënyrë që mbështetja të jetë e qasshme dhe në kohë për secilin nxënës.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë 14 rekomandime me qëllim të përmirësimit të funksionimit të ekipeve vlerësuese, planifikimit të kapaciteteve mbështetëse, cilësisë së të dhënave dhe monitorimit institucional.



