Kurti sulmon 6 deputetët e LDK-së, lavdëron Abdixhikun dhe ekipin e tij
Gjashtë deputetë të LDK-së kanë dalë kundër marrëveshjes së arritur nga kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për propozimin e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së, të mbajtur këtë të martë, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Kujtim Shala kanë kundërshtuar marrëveshjen dhe nuk janë pajtuar që ta mbështesin Sejdiun për president.
Marrëveshja e arritur në nivel të kryetarit të partisë dhe ekipit negociator nuk ka prodhuar bindje automatike te të gjithë deputetët, të cilët argumentuan ndër tjera se nuk janë votur “për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit”
Ky zhvillim çoi në mbledhje të Grupit Parlamentar të VV-së
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pretendoi se kishte qenë i bindur se kandidatura e Bekim Sejdiut kishte mbështetje të plotë nga LDK-ja.
“Isha shumë i lumtur që mbështetja ishte e plotë për Bekim Sejdiun si president i Republikës së Kosovës. Natyrisht që kjo mbledhje ishte në dijeni të zhvillimeve të fundit. Në njërën anë, nga LDK-ja kishte mbështetje të plotë për emrin, mirëpo më pas patëm njoftimin që 6 deputetë nuk e mbështesin Bekim Sejdiun për president”, tha Kurti.
Kurti pranoi se kundërshtimi i tyre ka krijuar një situatë të re dhe tha se do të takohet përsëri me Abdixhikun për të diskutuar se çfarë do të ndodhë më tej.
“Kjo është situatë e re, e cila kërkon që unë të takohem sërish me kryetarin e LDK-së dhe të kthehem në kryesi për të diskutuar rrugën përpara”, deklaroi ai.
Megjithatë, Kurti nuk u kufizua vetëm në konstatimin e dështimit për t’i siguruar gjashtë votat. Ai kaloi në sulm të drejtpërdrejtë ndaj deputetëve që kishin vendosur të mos e mbështesnin marrëveshjen.
“E konsiderojmë të papërgjegjshme dhe absurde një sjellje të tillë nga 6 deputetët, ku, me sa duket, ka interes që të shkojmë sërish në zgjedhje. Nuk do të duhej që përsëri të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, të cilat janë të dëmshme”, tha Kurti.
Kurti, megjithatë, nuk ofroi ndonjë provë se gjashtë deputetët po kundërshtojnë marrëveshjen me qëllim që vendi të shkojë në zgjedhje.
Në kontrast me gjuhën që përdori ndaj gjashtë deputetëve, Kurti pati vetëm fjalë pozitive për Abdixhikun dhe ekipin negociator të LDK-së që kishte punuar për marrëveshjen.
Ai falënderoi negociatorët e LDK-së dhe i përshkroi bisedimet me terma si “konstruktivitet”, “mirëbesim”, “kreativitet” dhe “përkushtim”.
“Me keqardhje na duhet ta themi që marrëveshjen politike që e arritëm me aq shumë mund – falënderoj edhe njëherë ekipin negociator të LDK-së – e arritëm me konstruktivitet, mirëbesim, kreativitet dhe përkushtim për të bërë marrëveshje”, deklaroi Kurti.



