Kush është në skenarin e shteteve që e financojnë Gjykatën Speciale?

01 shtator 2026 | 15:52

Milazim KRASNIQI

Ndonëse janë bërë e bëhen përpjekje të mos duket, Kosova është peng i Gjykatës Speciale, që nga dita kur ajo gjykatë u themelua me presion e terror diplomatik ndërkombëtar. Kosova që nga ajo ditë ka hyrë një një rrugë, e cila mund ta çojë edhe drejt trazirave e dezintegrimit. Nëse Gjykata merr vendim dënues, reagimi shqiptar mund të jetë dramatik, sepse në atë rast jo vetëm që dënohen figurat kryesore te UÇK-së e të ndërtimit të shtetit të Kosovës, por shfaqet rreziku real i ndryshimit të historisë së ndërtimit të shtetit tonë. Faktikisht, Gjykata Speciale është imponuar pikërisht për këtë qëllim. Me synimin e disa shteteve që të relativizohen krimet e Serbisë dhe t’i bëhen lëshime Rusisë, Gjykata Speciale tërë këto vite ka zbatuar arrogancë e mospërfillje ndaj institucioneve të Kosovës, sikur ato të mos ekzistonin dhe të mos ishin themeluese të asaj gjykate. Kjo është vetëm ana banale e skenarit.
Ana e padukshme e skenarit është shumë më djallëzore, shumë më ogurzezë. Ana e saj e padukshme tash gjashtë vite e ka krijuar klimën për dënimin e protagonistëve të UÇK-së, që janë në Hagë, duke tentuar ta blejë pajtimin e popullit të Kosovës për atë dënim eventual. Ja si! E para, qeveria e Kosovës, që nga koha e arrrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ka mbajtë qëndrim të ftoftë ndaj kauzës së tyre. Ky qëndrim ka përfshirë anëtarësinë e partive të koalicionit dhe simpatizantët e tyre, duke krijuar një masë kritike që faktikisht e përkrahin Gjykatën Speciale dhe ëndërrojnë që të akuzuarit të dënohen. Ky qëndrim e disponim është absurd, sepse është në kundërshtim me qëndrimin që ka pasur LVV kundër Gjykatës Speciale.
E dyta, që është edhe më e frikshme është se një pjesë e mërgatës sonë, duket si e rekrutuar në një skenar në shtetet që e financojnë Gjykatën Speciale, sidomos Gjermanisë. Ata që janë shpërngulë në valën e dirigjuar në vitin 2015, me ç’rast u nxorën jashtë edhe shumë dëshmitarë, duken si kontigjenti më militant kundër UÇK-së dhe drejtuesve të saj. Me sa duket, si produkt i këtij skenari është edhe mënyra e çuditshme e votimit për LVV në diasporë. Votimi si ky i zgjedhjeve të fundit, fundit ku LVV merr mbi 80% të votave në diasporë, nuk ka as logjikë politike, as sociale, as ekonomike, as farefisnore, as fetare, as rajonale. Atje votohet për kandidatë, të cilët votuesit nuk i njohin. Ata nuk votojnë për ndonjë program në Kosovë, sepse nuk jetojnë në Kosovë, prandaj asnjë program nuk u paraqet interes për ta, për asgjë. E vetmja arsye logjike, sado që nuk mund të vërtetetohet lehtë sot, është se janë votues të dirigjuar nga qarqe të ndryshme të shteteve europiane, të cilat e financojnë Gjykatën Speciale dhe prandaj janë të interesuara që ajo Gjykatë të dënojë të akuzuarit. Rekrutimi i një pjese të mërgatës në atë projekt, bashkë me disa lëvizje fashiste që kërkojnë konvertimin me dhunë të shqiptarëve muslimanë të Kosovës, për ato shtete ka edhe një qëllim praktik: po të mbeteshin ata simpatizues të UÇK-së dhe shqiptarët unikë, e po qe se do të dënoheshin drejtuesit e saj nga Gjykata Speciale të cilën ato shtete e financojnë, në ato vende mund të priteshin incidente, trazira. Pra, neutralizimi i mërgatës dhe nxitja e ektremizmit katolikocentrist mund të jetë bërë edhe për këto qëllime. Nëse është kështu, atëherë qysh tash mund të kemi drojë se Gjykata Speciale do të marrë vendim që është në frymën e politikës së atyre shteteve, të cilat që nga fillimi kanë synuar relativizmin e krimeve të Serbisë dhe krijimin e një lloj barazie ndërmjet krimeve të shtetit serb dhe krimeve ordinere të individëve në Kosovë.
Gjykata Speciale as që i ka ndjekur dorasit. Gjykata Speciale është mjaftuar të marrë peng drejtuesit e UÇK-së dhe figurat qendrore të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Por ashtu e ka marrë peng edhe politikën në Kosovë, e cila tash sa vite është e bllokuar, e konfrontuar dhe në prag të konfliktit. Imponimi i Planit Franko-Gjerman dhe i Aneksit të Ohrit nga Gjermania e nga Franca praktikisht është projekt për copëtimin dhe federalizimin e Kosovës. Imponimi i këtij plani ka qenë i pamundur pa e pasur Kosova si shpatë mbi kokë Gjykatën Speciale dhe pa iu mbajtur peng në Hagë drejtuesit kryesorë të UÇK-së dhe të shpalljes së pavarësisë.
E treta, edhe krizat e zgjedhjeve pa zgjidhje, me shumë gjasë janë programuar, për ta mbajtur Kosovën peng, të dobët dhe në mbikëqyrje, në mënyrë që reagimi ndaj Gjykatës Speciale të amortizohet më lehtë. Por një gjë nuk e kanë llogaritë mirë: mënyrën e reagimit shqiptar, kur u prekë thika në asht. Ata duhet të llogarisin se nëse ndodhë dënimi, Kosova vërtet mund të destabilizohet. Ndërsa destabilizimi nuk është interes i NATO-s, as i BE-së, as i SHBA-së. Sidomos jo i Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë, Francës, fjala vjen. Destabilizimi mund të jetë vetëm interes i Rusisë dhe aleatëve të saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrullah Çeku, ka…