Lëvizja FOL fiton rastin gjyqësor për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe interesit publik

01 shtator 2026 | 13:35

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e ngritur ndaj Lëvizjes FOL, duke vlerësuar se deklaratat e organizatës lidhur me interesin publik dhe llogaridhënien e zyrtarëve janë të mbrojtura nga liria e shprehjes dhe debati publik.

Sipas Lëvizjes FOL, vendimi është marrë më 21 korrik 2026, në kuadër të lëndës C.nr.581/15, ndërsa gjyqtarja Shpresa Veselaj ka vlerësuar se rasti është në përputhje me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përfshirë rastin “Lingens kundër Austrisë”.

Gjykata ka theksuar se liria e shprehjes përfshin edhe deklaratat kritike dhe shqetësuese, veçanërisht kur ato lidhen me persona dhe funksione publike.

Në aktgjykim thuhet se mediat, por edhe organizatat e shoqërisë civile si Lëvizja FOL, gëzojnë një shkallë të lartë mbrojtjeje kur veprojnë në kuadër të debatit publik.

Lëvizja FOL e ka cilësuar vendimin si një fitore të rëndësishme jo vetëm për organizatën, por edhe për shoqërinë civile dhe mediat që angazhohen për transparencë, llogaridhënie dhe mbrojtjen e interesit publik.

Organizata ka falënderuar avokatin Admir Salihu, i cili e ka përfaqësuar atë pro bono gjatë procesit gjyqësor.

Nga Lëvizja FOL kanë deklaruar se do të vazhdojnë të angazhohen për mbrojtjen e të drejtës për shprehje të lirë në funksion të interesit publik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka…